FRI: Sulejman Rexhepi, nxit dyshime tek organet e sigurisë dhe njollos imazhin tonë

Pas intervistës së kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi, dhënë Zërit të Amerikës, intervistë kjo e cila më pas u përcoll edhe nga disa media të shkruara dhe elektronike, ku në mes tjerash, Rexhepi në mënyrë tendencioze përmend, akuzon dhe njollos Forumin Rinor Islam, me qëllim të demontimit të kësaj deklarate tendencioze të radhës, si dhe të njoftimit të opinionit publik, Forumi Rinor Islam lëshon këtë deklaratë për opinionin:

“Ia bëjmë me dije kreut të BFI-së,  Sulejman Rexhepit, se FRI është organizatë legale, pjesë e sektorit civil, e regjistruar pranë organeve kompetente të Republikës së Maqedonisë, e cila qëllimet, detyrat dhe veprimtarinë e vet e realizon në përputhje me normat e parapara me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, aktet tjera ligjore dhe nënligjore të cilat rregullojnë çështjet e kësaj fushe, si dhe konform Statutit të tij, të miratuar nga Kuvendi i FRI-së më datë 22.01.2011 (konform nenit 18, 23, 104, paragrafi 1 I Ligjit për shoqata dhe fondacione / Gazeta zyrtare e R.M. – së, nr. 52/2010)”, thuhet në deklaratën e FRI-së.

Me tej në deklaratë thuhet: “dyshimet të cilat i hedh i njëjti person në lidhje me mos gjetjen e Statutit të FRI-së, janë rezultat i injorancës dhe qëllimeve të tij të errëta, sepse shumë lehtë ka mundur të drejtohet zyrtarisht në adresën tonë dhe të njëjtin ta siguron pa asnjë problem nga ana jonë. Po ashtu, edhe konstatimi i tij se nuk ka forume rinore fetare askund tjetër, përveç ndër shqiptarë e myslimanë, flet për mosnjohjen e tij elementare të realitetit të veprimtarisë joqeveritare rinore në botë. Ndërsa, tentimi i tij për nxitjen e dyshimeve ndaj FRI-së tek organet e sigurimit, flet për njëmendësinë e tij të vjetër moniste, dhe paraqet tendencë për të njollosur imazhin tonë para publikut, gjë të cilën jemi të bindur se asnjëherë nuk do ta arrijë”.

FRI njoftojnë opinionin e gjerë se e ka të deponuar Statutin e vet në Regjistrin Qendror të RM-së, ku për çdo vit paraqesim raportet dhe ndryshimet e miratuara nga kuvendi i organizatës, të cilat obligime na i imponon sistemi juridik i shtetit.

“Duke e pasur parasysh faktin se jemi OJQ e regjistruar komfor ligjeve të Republikës së Maqedonisë, FRI jep përgjegjësi para organeve të saj të përcaktuara me statut, si dhe para organeve kompetente shtetërore, komfor sistemit legjislativ të shteti, e jo para mulla Sulës apo dikujt tjetër. 4. Me anë të deklaratës së publikuar në media, kreu i BFIM-së, Sulejman Rexhepi, është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e RM-së, respektivisht me nenin 20 të Kushtetutës, e cila garanton ekzistencën dhe veprimtarinë e sektorit civil, që është karakteristikë e çdo shoqërie demokratike”, thuhet në komunikatën e FRI-së.

FRI është organizatë transparente në punë, ka qëllime, objektiva dhe program të qartë, kurse aktivitetet e tij prej tashmë një dekadë e gjysmë janë të njohura për të gjithë, aktivitete këto të cilat janë në frymën e tolerancës, dialogut, bashkëpunimit dhe promovimin e vlerave tjera pozitive. Në këtë frymë FRI ka krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me institucione relevante brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë këtu ministritë dhe komunat e ndryshme në vend, si dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe subjekte tjera të mirënjohura në nivel evropian.

FRI, sferë të aktivitetit të vet e ka punën me të rinj në aspektin edukativ, kulturor, arsimor dhe moral, dhe këtë në asnjë mënyrë nuk e bën duke u përzier në punët e ndonjë institucioni tjetër, e në veçanti të Bashkësisë Fetare Islame, ndaj të cilit institucion FRI ka konsideratë të veçantë, si dhe me të njëjtin institucion FRI ka bashkëpunuar në mënyrë konstruktive në kohërat kur ky institucion frymonte lirshëm dhe drejtohej nga njerëz të sinqertë dhe kooperativ.

Lajme të ngjashme

Back to top button