Rritet numri i veprave penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se në gjysmën e parë të këtij viti është rritur për 16,1 për qind numri i veprave penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje, krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar.

Sociologët më këtë rast konsiderojnë se dhuna familjareështë pasqyrim i gjendjes së përgjithshme, në të cilën ndodhet shoqëria maqedonase, që gjithnjë e më shumë është e tensionuar.

“Të dhënat statistikore flasin qartë se gjithmonë kur gjendja e përgjithshme në Maqedoni bëhet më turbulente, si në aspektin e sigurisë së përgjithshme, ashtu dhe aspektin e sigurisë sociale, krijohet një gjendje e tensionuar, duke rritur shkallën e agresivitetit te qytetarët. E kjo gjendje reflektohet në relacionet familjare”, thotë sociologu maqedonas, Gjorgje Tonovski.

Ndërkaq, Vesel Memedi, psikolog, thotë se rritja e dhunës në familje është si rrjedhojë e moszbatimit të ligjeve, me atë që dhuna veçanërisht mes bashkëshortëve mbetet e padënueshme edhe kundrejt një morie ligjesh, të cilat atë e trajtojnë si vepër penale.

Sipas Memedit, mediat në masë të konsiderueshme janë ato që nxisin reflektimin e sjelljeve të dhunshme, aq më shumë nëse kemi parasysh të dhënat, të cilat tregojnë se qytetarët e Maqedonisë më shumë se 4 orë kalojnë pranë ekraneve televizive.

“Pra, kemi të bëjmë me teorinë e njohur të Albert Bandurës, se shumë nga sjelljet e njerëzve formohen përmes vëzhgimit të sjelljeve të të tjerëve ose të modeleve simbolike që i konsiderojmë si heronj nga televizori.

Sa më shumë shohin televizor, aq më shumë mësojnë nga ajo që u ofrohet si përmbajtje, qoftë dhunë, luftë mes të mirës dhe të keqes apo diçka tjetër, andaj ekzistojnë dhe rregulla të ndryshme për t’u mbrojtur nga ndikimi i mediave me përmbajtje të dhunshme”, vlerëson për REL, Memedi.

Ndryshe, përmes ndryshimeve të reja në Ligjin kundër dhunës në familje, përveç zgjerimit të të drejtave dhe mbrojtjes së viktimave nga dhuna, parashihen të drejta plotësuese që kanë të bëjnë me respektimin e dinjitetit dhe integritetit të atyre personave.

Lajme të ngjashme

Back to top button