Turizmi, gjysma e kapaciteteve hoteliere mbeten të pashfrytëzuara

Më shumë se gjysma e kapaciteteve hoteliere, mbeten të pashfrytëzuara edhe në sezonit turistik, thekson kryetarja Odës Turistike të Maqedonisë, Lella Kërstevska, duke fokusuar çështjen e sigurisë si një nga problemet kryesore që dëbon turistët nga pikat turistike të vendit.

“Në çmime në një mënyrë mund të intervenohet, meqë vlerësoj se në Maqedoni ka pika turistike si për turizmin malor apo liqenor për çdo xhep. Por, ajo që mbetet shqetësuese është çështja e sigurisë, që paraqet një parametër shumë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit”, thotë Kërstevska, duke kujtuar incidentet e të rinjve nga Serbia në Ohër. Kërstevska konsideron se numri i pamjaftueshëm numri i turistëve nuk lejon elasticitet të çmimeve jashtë sezonit turistik, ngase likuiditeti i hoteleve mundësohet nga dy muaj aq sa zgjat sezoni turistik në brigjet e Liqenit të Ohrit.

Ndërkaq, Tefta Rogozhina, e cila dhjetë vitet e fundit pushimet i bën në Maqedoni, thotë se është klima ajo që e ndjell për të pushuar. “Po këtu në Strugë më pëlqen fresku që mban gjatë tërë ditës, pavarësisht temperaturave të larta, natyra e kombinuar mal, me pisha të shumta dhe liqe të ofron disa ditë pushim në qetësi, gjithsesi më pëlqen edhe mikpritja”, shprehet ajo. Nga ana tjetër, për Naum Martinovskin, punonjës turistik, shqetësues është fakti se pavarësisht asaj se është në rritje numri i turistëve të huaj, ka rënie të theksuar të turistëve të brendshëm, meqë, siç nënvizon ai, janë turistët vendorë ata të cilët e mbajnë gjallë turizmin në Maqedoni, gjatë tërë vitit – qoftë edhe duke rezervuar vetëm gjatë fundjavave.

“Ulja e numrit të turistëve nga Maqedonia ka të bëjë me uljen e standardit jetësor. Numri i vogël i turistëve nga vendi gjithsesi ka të bëjë dhe me rritjen e konkurrencës sa u përket pikave turistike në Ballkan. Viteve të fundit bregdeti shqiptar është më atraktiv, si me çmimet me natyrën që ofron, dhe përderisa më parë ishte tabu shkuarja e maqedonasve atje, tani gjithnjë e më shumë qytetarët përcaktohen për një fundjavë në det sesa në brigjet e Liqenit të Ohrit apo atij të Perespës”, shpjegon për REL, Martinovski.

Lajme të ngjashme

Back to top button