Turqia në shënjestër të BND?

Shërbimi informativ gjerman (BND), sipas informacioneve të revistës gjermane “Der Spiegel” ka survejuar Turqinë, ndoshta për vite me radhë e deri më sot.
Sipas “Spiegel” partneri i NATO-s ende gjendet në një listë të qeverisë gjermane të vitit 2009, e cila është ende aktuale, si objekt zyrtar survejimi.

Qeveria gjermane çdo katër vjet përcakton objektivat prioritarë të shërbimit informativ BND. Profili aktual për shkak të skandalit të përgjimit të NSA-së ende nuk është rinovuar, shkruan revista.
Veç kësaj BND nuk ka përgjuar vetëm Hillary Clinton-in gjatë kohës që ishte ministre e Jashtme e SHBA-së por edhe pasuesin e saj në post, John Kerry.

Sipas informacioneve të “Spiegel” është përgjuar të paktën një bisedë e Kerry-t. Biseda telefonike e zhvilluar në vitin 2013 me lidhje satelitore ka përfunduar në të ashtuquajturën “material dytësor” të rrjetës së përgjimit të BND-së, e cila shtrihet në Lindjen e Afërt, ashtu siç kishte ndodhur më parë edhe me telefonatën e Clinton-it.

Sipas “Spiegel” Clinton në atë kohë zhvillonte një bisedë me ish Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan.

Telefonatat e politikanëve nuk janë përgjuar qëllimisht, por rastësisht në kuadër të operacioneve të tjera, shkruan revista e cila i referohet qarqeve të sigurisë.

Që Clinton është përgjuar u raportua edhe nga gazeta “Süddeutsche Zeitung” dhe radiot NDR dhe WDR të premten (15.8.). Kjo rezulton nga dokumente të cilat spiuni i kapur në korrik në BND, i ka dorëzuar shërbimit të fshehtë amerikan CIA. Spiuni ndërkohë ka pranuar se gjatë dy viteve të fundit i ka dorëzuar SHBA-së të paktën 218 dokumente.

Sipas informacioneve të medieve, SHBA kanë filluar të shfrytëzojnë informacionet e marra në konfliktin aktual për aksionet e spiunazhit amerikan në Gjermani. Telefonata e përgjuar e Clinton-it paraqitet prej tyre si dëshmi se edhe gjermanët kanë spiunuar SHBA-në.

Për ekspertin e Partisë Kristiansociale (CSU) Hans-Peter Uhl nuk ka të ngjarë që BND të ketë përgjuar vërtet telefonin mobil të Clinton-it.

Për gazetën “Bild” ai tha: “Jam shumë mosbesues sa i takon këtij informacioni. BND duhet të mbajë qendrim ndaj akuzave në instancën e kontrollit për shërbimet sekrete”.

Qeveria gjermane vitin e kaluar u indinjua shumë për aktivitetet e shërbimit të fshehtë të SHBA në Gjermani, që u bënë publike nga ish punonjësi i NSA-së Edward Snowden.

Sipas informacioneve autoritetet e SHBA nuk kanë përgjuar vetëm komunikimin e një numri të madh shtetasish gjermane, por edhe telefonin celular të Kancelares Angela Merkel. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button