Rexhepi: Nuk mund të arsyetohet pjesëmarrja e shqiptarëve në konfliktin në Siri dhe Irak

Kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi thotë se shqiptarët, besimtarë mysliman në Maqedoni dhe më gjerë në rajon janë keqpërdorur në lidhje me luftërat në Siri dhe Irak dhe se është mendim i gabuar se ata shqiptarë që vriten në ato luftëra do të bëhen dëshmorë ose shehidë. Atje po bëhet një luftë e përgjakshme vëllavrasëse dhe nuk mund të arsyetohet pjesëmarrja e shqiptarëve në atë konflikt, thotë për Zërin e Amerikës, kryetari i komunitetit mysliman Sulejman Rexhepi.

“Njerëzit ende nuk e kanë kuptuar se çdo të thotë të mbrosh vatanin. Ka një thënie të profetit Muhamed se: “të duash Vatanin, të duash Atdheun është pjesë e besimit, është pjesë e imanit të një besimtari mysliman”. Mirëpo këtu nuk është në pyetje ajo që dikush vullnetarisht të përfshihet në një konflikt luftarak me synim të mbrojtjes së vatanit dhe nëse eventualisht bie viktimë në atë front të konsiderohet për shehid. Kjo është shumë gabim. Unë kam reaguar gjithmonë dhe ua kam tërheqë vërejtjen atyre për të cilët mendoj se po bëjnë frymëzimin e të rinjve për të shkuar në atë luftë. Nuk mund të jetë shehid (dëshmor) një njeri i cili ka shkuar prej këtu në një luftë civile të ndezur nga pozita dhe opozita. Edhe më keq është kur atje paraqiten ndarje dhe fraksione siç është rasti me organizatën ISIS dhe themelimin e Kalifatit islamik. Nuk ka përmbajtje as fundament islamik… ai rreth dhe ajo celulë është tërësisht terroriste! Bën masakrimin e popullit, pa marrë parasysh përkatësinë fetare.” Kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoni vlerëson se ata shqiptarë të cilët shkojnë për të luftuar në Siri e Irak kanë për motiv kryesor interesin material.

Ata persona të cilët bëjnë frymëzimin për pjesëmarrje në luftën e Sirisë vetë mbeten në shtëpi ndërsa kanë artikulime të interesave materiale. Ata nuk janë të vetëdijshëm se çfarë dëmi na bëjnë ne si myslimanë dhe si shqiptarë. Kam një porosi për të gjithë ata të cilët e duan paqen, duan kulturë dhe civilizim: kërkoj që të funksionojë shteti juridik, thotë z. Rexhepi.

Kryetari i Bashkësisë Islame, Rexhepi thotë se ata shqiptarë me sjelljet e tyre njollosin imazhin e Islamit dhe të kombit shqiptar. Reis Ulemaja, siç njihet këtu kryetari i bashkësisë Islame, thotë se është shumë i vëmendshëm sa I përket ruajtjes së interesave të besimtarëve mysliman por dhe autoritetit të institucionit që drejton dhe të Islamit në përgjithësi.

Ai nuk e përjashton mundësinë që frymëzuesit e atyre personave që shkojnë për të luftuar të jenë edhe nëpër xhamitë e këtushme. Ai pranon se dy xhami të Shkupit nuk janë në kontroll të plotë të Bashkësisë Islame.

Lajme të ngjashme

Back to top button