Shkupi dhe Vëllazërimi përsëri fitojnë

Shkupi ka vazhduar serinë e fitoreve në fillim të sezonit të ri të Ligës së Dytë, duke e mundur si mysafire Euromilkun me rezultat 3:1, skuadër kjo e cila sezonin e kaluar ishte anëtare e Ligës së Parë dhe këtë sezon nuk ka prishur ekipin, por është përforcuar.
Ishte përforcimi i ri i këtij sezoni, Fatmir Arifi që ka shënuar tre gola (het-trick), për Shkupin dhe kështu duke treguar se kjo skuadër pretendimet për kthim në Ligë të Parë i ka shumë reale.
Ndeshja filloi me matjen e forcave nga dy ekipet, por kështu ishte deri në minutën e 28-të, kur Arifi shënoi golin e tij të parë me një super lobim me kokë, e ndërkohë vetëm 10 minuta më pas edhe për herë të dytë mposhti portierin vendas, Maxharovski dhe përsëri me kokë.
Me rezultatin 2:0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në minutën e 47-të, futbollisti i inkuadruar në lojë në fillimin e pjesës së dytë, Vildan Kerim, arriti që të ngushtojë rezultatin në 1:2, duke kthyer për një çast shpresat e EuroMilkut në këtë ndeshje.
Por asgjë nuk ju la rastit dhe në skenë te Shkupi doli i palodhshmi, Fatmir Arifi, i cili në minutën e 64-të shënoi “hat-trikun” e tij të parë me fanellën e Shkupit.
“Është kënaqësi të fitosh, ndërsa fitorja ka vlerë edhe më të madhe kur shënon gola. Het-tricku më bën që të ndjehem edhe më i sigurt për sfidat tjera, ndërsa këto gola ia dedikoj Omer Bunjakut, udhëheqësit të tifo grupit “Shvercerat”, e që këta të fundit edhe sot ishin motivacioni ynë më i madh për fitore”, ka thënë Fatmir Arifi.
Fitorja e Shkupit mund të ishte edhe më e madhe, mirëpo 5 minuta para fundit të takimit, Muharem Bajrami humbi një penalti, e as Ardian Nuhiu që ishte ballë për ballë me portierin nuk arritën të shënojnë, ndërsa rezultati mbeti i pandryshuar, EuroMilku – Shkupi 1:3.
Në derbin shqiptar në Bogovinë, Vëllazëimi (Vrapcishti) ka shënuar fitore minimale me rezultat 1-0, por shumë të vlefshme për vazhdimin e kampionatit, ndërsa autor ishte Murad Adili. Humbje në këtë javë përjetori Gostivari, i cili u mund nga Kozhuvi vendas me rezultat 2-1.

Rezultatet, xhiros së dyte
Drita-Vëllazërimi 0-1
Kozhuv-Gostivari 2-1
Euromilk-Shkupi 1-3
Makedonija Gj.P.-Skopje 1-1
Napredok-Mladost 2-4

Renditja: Shkupi 6, Vëllazërimi (Vrapcishti) 6, Mladost 4, Kozhuv 4, Makedonija GjP 2, Skopje 2, Euromilk 1, Gostivar 1, Napredok 1, Drita 0 pikë. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button