Eurozona, bie Gjermania, ndalet Franca, Italia në recesion

Tremujori i dytë i këtij viti ka ndalur riëmëkëmbjen e tre vendeve me ekonomitë më të fuqishme në Eurozonë. Shifrat zyrtare flasin për një situatë të brishtë ekonomike në bllok, si pasojë e inflacionit të ulët dhe krizës në Ukrainë.

Sipas të dhënave, ekonomia lider e Eurozonës, Gjermania, pati një ulje të Produktit të Brendshëm Bruto gjatë 3-mujorit të dytë me 0.2%, një vlerë kjo më negative sesa parashikimet e analistëve.

Përsa i përket vendit të dytë, Francës, ekonomia e saj mbeti në stanjacion. Ndërsa Italia, pak ditë me parë publikoi shifrat që tregonin një rënie ekonomike në nivelet 0.2%.

Sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, të dhënat e publikuara së fundmi ushtrojnë presion që Banka Qendrore Europiane të zgjerojë paketën e stimujve.

Performanca jo mjaft pozitive e Gjermanisë u lidh me dimrin e ngrohtë dhe prodhimin e lartë në 3 muajt e parë të vitit, ndërsa tani, vëmendja është përqendruar te sanksionet e vendosura kundër Rusisë.

Analistët shprehen se ekonomia e bllokut europian është ende e brishtë me inflacionin që po qëndron në nivelet më të ulëta që nga viti 2009, ndërkohë që masat e ndërrmara deri më tani nga Banka Qendrore Europiane duan kohë që të japin efektin e dëshiruar./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button