S’do kemi prapë zgjedhje, kjo gjë ka marrë fund!

Dëshira e PDK-së është të shkojmë prapë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ajo në pamundësi që vetë ta krijojë Qeverinë, përmes ”filialit” të saj juridik Gjykatës Kushtetuese, po mundohet ta dërgojë vendin prapë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por ajo duhet ta kuptojë një gjë, që s’do kemi prapë zgjedhje. Kjo gjë ka marrë fund. Më 8 qershor u mbajtën zgjedhjet, sovrani dha verdiktin e tij dhe 70% votuan kundër PDK-së. Zgjedhjet do të ishin opsion vetëm nëse asnjë koalicion nuk do t’i kishte numrat për krijimin e Qeverisë. Por deri sa kemi koalicionin LDK-AAK-NISMA që i kanë numrat për krijimin e Qeverisë, s’kemi pse të shkojmë edhe njëherë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Gjykata Kushtetuese s’mund ta mbaj ”pezull” postin e kryetarit të Kuvendit dhe funksionimin e plotë të Kuvendit. Më 17 korrik në seancën konstituive të Kuvendit, 120 deputetë e dhanë betimin. 83 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan dhe në mënyrë legjitime zgjodhën kryetarin e Kuvendit dhe dy nënkryetarët. Në fillim të gushtit edhe deputetët e legjislaturës së re të Kuvendit morën pagat e tyre. Kështu që puna e konstituimit të Kuvendit ka marrë fund. Do të ishte shkelje e Kushtetutës nëse për hir të PDK-së të kthehej çdo gjë nga pika ”zero” dhe të shkelej vullneti i shumicës së deputetëve. Kështu do shkelej edhe vullneti i shumicës së elektoratit që votuan 70% për partitë opozitare. Gjykata Kushtetuese nuk guxon të bëj një veprim të tillë.  PDK-ja duke e parë që iu kanë shterrur të gjitha mundësitë për krijimin e Qeverisë dhe pashmangshëm do të shkojnë në opozitë, po lëshon edhe propaganda të ulëta që gjoja i kanë 70 vota për krijimin e Qeverisë. Këto propaganda po bëhen qëllimisht nga ana e saj, për të krijuar mjegullë në opinion. PDK-ja ka humbur dhe duhet ta pranojë këtë fakt. Në seancën konstituive të Kuvendit u pa se sa vota kishte koalicioni i PDK-së. Ata nuk kishin më shumë se 37 vota, aq sa fituan bashkë me koalicionin e saj në zgjedhje. Një gjë duhet ta ketë të qartë PDK-ja, por edhe Adem Grabovci që tha javën e kaluar se i kanë 70 vota për krijimin e Qeverisë. As SHIK-u, e as Gjykata Kushtetuese s’mund t’iu sigurojë votat për krijimin e Qeverisë. Gjykata Kushtetuese duhet që sa më parë të heq pezullimin e postit të kryetarit të Kuvendit, z. Isa Mustafa dhe funksionimin e plotë të Kuvendit, për t’i hapur rrugë koalicionit LDK-AAK-NISMA ta krijojë Qeverinë. Edhe PDK-ja e ka kuptuar tashmë që asnjë parti shqiptare s’po dëshiron të bëjë koalicion me ta për krijimin e Qeverisë. Kështu që ajo është më mirë të dorëzohet dhe Qeveria të krijohet sa më parë.

Lajme të ngjashme

Back to top button