Epidemiologët rekomandojnë për kujdes nga Listeria

Epidemiologët rekomandojnë për kujdes, pasi Listeria e rrezikshme mund të gjendet edhe tek frutat dhe perimet. Që të mos infektoheni nga ky bakter, Instituti i shëndetit publik sqaron se këto produkte duhen larë mirë para se të konsumohen. Gordana Ristovska nga ky Institut thotë se qytetarët nuk duhet të frikësohen as nga konsumimi i mishit, sallamet apo salsiçet, vetëm nëse ato përgatiten mirë në temperaturë të lartë, transmeton Alsat.

“Mënyra më e mirë e parandalimit të Listeria është gatimi termik i ushqimit. Bakteri është i ndjeshëm. Në temperaturë mbi 70 gradë bakteri shkatërrohet, ndaj, është mirë që produktet ushqimore para se të konsumohen, të zihen, të piqen ose të fërgohen mirë”, tha Gordana Ristevska, Instituti i shëndetit publik.

Periudha e zhvillimit të këtij virusi zgjat nga 15 ditë deri në disa muaj, varësisht nga forma në të cilën paraqitet.

“Forma e parë më e lehtë kalon me dhembje gastro-intestinale, pra me të vjella, diarre dhe inkubacioni për këtë fazë zgjat 15 ditë. Por, jo tek të gjithë personat. Bakteri mund të paraqitet edhe në të ashtuquajturën formë invazive kur manifestohet me meningo-encefalit. Për formën invazive, periudha e inkubacionit mund të jetë edhe 3 muaj”, u shpreh Gordana Ristevska, Instituti i shëndetit publik.
Burimi i listerias u zbulua pak ditë më parë, në mishin e qafës së derrit në kompaninë nga Kumanova “Esktra Mein”. Nga ky bakter i rrezikshëm deri tani kanë humbur jetën 4 persona, ndërkohë që një tjetër është në gjendje të rëndë.

Lajme të ngjashme

Back to top button