Venizelos të dielën bisedon me Ban Ki-Munin për Maqedoninë

Zëvendëskryeministri dhe ministër i punëve të jashtme, Evangelos Venizelos nesër do të udhëtojë në SHBA, ku të dielën në Nju-Jork do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-Mun.

Njëra prej temave kryesore në bisedë, do të jetë çështja e emrit të Maqedonisë, ndërsa do të diskutohet edhe për Qipron dhe situatën në Lindjen e Afërt.

Vizita e Venizelosit në SHBA përfundon më 27 shtator, pas fjalimit të tij të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri grek Andonis Samaras gjithashtu do të udhëtojë në Nju-Jork, por më 28 shtator.

Zëvendëskryeministri grek më 12 shtator e informoi Komisioni parlamentar për mbrojtje nacionale dhe politikë të jashtme për takimin e tij me ndërmjetësin Matthew Nimetz, ku informoi se takimi i fundit në lidhje me çështjen e emrit me siguri do të mbahet në javën e fundit të shtatorit në Nju-Jork. Ai edhe atëherë përsëriti se Athina është për emër të përbërë, me përcaktim gjeografik që i përket termit gjeografik të emrit, e jo “termit politik”, dhe se është vetëm për zgjidhjen erga omnes.

Pas vizitës së Nimetzit në Athinë dhe në Shkup, mediat greke kanë shkruar se ndërmjetësi dëshiron ta shfrytëzojë situatën kur Venizelosi dhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki, në të njëjtën kohë do të jenë në Nju-Jork nga fundi i shtatorit, që të mbajnë edhe një raund të takimeve.

Në kumtesën zyrtare nga MPJ-ja greke për takimet e Venizelosit thuhet se ai në Nju-Jork do të mbajë disa takime bilaterale dhe multilaterale. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button