Për çfarë shërbejnë Kombet e Bashkuara?!

Me ndërhyrjen e Izraelit në Gaza, u riaktualizua pyetja se për çfarë shërbejnë Kombet e Bashkuara, ose thënë më mirë: a shërbejnë për diç apo jo. Kryeministri Turk Erdogan fajësoi Kombet e Bashkuara për heshtjen karshi kësaj ndërhyrjeje, ndërsa qëndrime të njëjta kanë edhe ekspertë dhe analistë të shumtë.

Reagimi i pritur nga OKB do të ishte marrja e një vendimi të cilin asnjë herë më parë nuk e ka marrë kjo organizatë: vendosja e sanksioneve ndaj Izraelit. Ndërsa nga 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, organ ky i cili do të duhej të merrte një vendim të tillë, thuajse të gjithë janë në anën e Izraelit. Nëse merren parasysh përvojat e mëhershme, sa herë kur Izraeli ka marrë ofenziva të tilla, ky mos veprim i OKB-së nuk lë vend për zhgënjim.

Po, është e vërtetë se OKB-ja është themeluar në vitin 1945 me qëllim që të sigurojë paqen në botë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Në hyrje dhe në nenin e parë të Deklaratës se OKB-së janë specifikuar këto, madje duke u trajtuar si qëllime të kësaj organizate.

Me qëllim që të parandalojë një luftë të tretë eventuale, Deklarata e Kombeve të Bashkuara në paragrafin e katërt të nenit 1 e përcakton Organizatën  si një qendër të përafrimit të politikave ndërkombëtare. Mirëpo thuajse në të gjitha temat dhe fushat, kompetencat për vendimmarrje i janë rezervuar Këshillit të Sigurimit,përderisa  5 vendeve anëtare të përhershme të këtij këshilli u është njohur e drejta për veto. Përveç kësaj, në nenin 25 është saktësuar se të gjitha shtetet anëtare u binden vendimeve që ky Këshill i merr.

Funksionimi i Kombeve të Bashkuara ashtu siç ne presim: garantimi i jetëve dhe i të drejtave të njerëzve, që në gjenezë ishte i pamundur. Ky sistem nuk do të funksiononte edhe po të mos ndodhte lufta e ftohtë e as tensionimet në Bllokun Perëndimor, sepse funksionimi i një mekanizmi të tillë të sigurisë, mekanizëm ky i botës së vendeve egoiste, as teorikisht nuk do të ishte i mundur.

Kombet e Bashkuara nuk kanë arritur të jenë më shumë se një organizatë e cila u shërben interesave të vendeve themeluese të saj, e cila ruan balancin e forcave dhe e cila, për shkak të moskomunikimit ndërmjet palëve e pengon një luftë të re botërore. Mund të marrë vendime vetëm kur ato janë në shërbim të interesave te tyre, ka ndodhur që të propozoj zgjidhje paqësore dhe të ndërmarrë edhe sanksione (kur u ka shkuar përshtat interesave të tyre), të cilat parashihen në kapitullin e shtatë të Deklaratës.

Mund të themi çka do që duam, por Kombet e Bashkuara do të mbeten të njëjtat. Nuk do të mund të jetë një organizatë e pavarur nga interesat dhe politikat e 5 vendeve themeluese të saj. Në Rastin e Sirisë, gjëja e vetme që mund të bëjnë është të marrin ndonjë vendim për ndihma humanitare, e kjo pasi janë vrarë mbi 170 000 njerëz dhe miliona të tjerë janë shpërngulur. Ndërsa në rastin e Izraelit do të mjaftohen me ndonjë deklaratë të sekretarit të përgjithshëm ose e shumta, do të mundohen që t’i kufizojnë operacionet ushtarake me mjete paqësore.

Nuk ka gjasa reale që kjo të ndodhë, por edhe sikur Turqia të ishte anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, situata nuk do të ishte më ndryshe. Sepse shtetet e tjera anëtare do ta ushtronin të drejtën e vetos për të bllokuar çfarëdo vendimi eventual. Rusia do të kundërshtone në rastin e Sirisë eh Amerika do të kundërshtonte në rastin e Izraelit. Ndërsa Turqia (po të ishte antëtare) me gjasë do të kundërshtonte për ndonjë rast tjetër.

Përderisa nuk shpërthen ndonjë luftë e re botërore në të cilën do të shkatërroheshin fuqitë aktuale, ky rend do të vazhdoj kështu siç është. Po edhe sikur të ndodhte një luftë e tillë, bota do të shkatërrohej për shkak të bombave nukleare të cilat pashmangshëm do të përdoreshin, për këtë arësye sdo kishte mbetuar as nevoja për rend të ri. Unë mendoj se në vend se të bëjmë përllogaritje për fatkeqësi të tilla eventuale, më mirë është të ndërmarrim iniciativa, me aq sa kemi forcë, që problemeve t’u qasemi me zgjidhje paqësore dhe në këtë mënyrë botën ta bëjmë një vend me më pak probleme dhe një vend më të mirë për të jetuar.

Sigurisht se Turqia nuk mund të qëndroj indiferente ndaj padrejtësisë, madje nuk duhet ta bëj një gjë të tillë. Politikat eventuale karshi çështjeve të ndryshme duhet të mbështeten në thelbin e problemeve dhe të jenë në suaza të mundësive tona. Në çështjen e Gaza-s, avantazhi më i madh që kemi është ndikimi i kryeministrit Erdogan tek Hamas-i.

Këtë ndikim të kryeministrit tek Hamasi, Turqia, nëse do, mund t’a përdorë për të bindur Hamasin të pranoj një armëpushim me kushtet e vitit 2012, propozim ky i bërë nga presidenti palestinez Abbas, në takimin e së Premtes me Presidentin dhe Kryeministrin turk.  Marrëdhëniet e tensionuara mes Turqisë dhe Izraelit nuk duhet të jenë pengesë për ndërmarrjen e iniciativave politike. Ndërsa me sa sa unë po shoh, Turqia është duke punuar në këtë drejtim.

Shkruan: Mensur AKGÜN
Përktheu: Shiprim AHMETI

Shqiprim Ahmeti
Shqiprim Ahmeti

Lajme të ngjashme

Back to top button