Nimic, mund të sjellë dinamikë të re në procesin e bisedimeve për emrin

Vizita e ndërmjetësit Methju Nimic në Shkup dhe Athinë në ditët në vijim mund të sjellë dinamikë të re në procesin e bisedimeve. Madje njohësit e çështjes vlerësojnë se Nimic mund të vijë edhe me një propozim më të precizuar në Shkup falë angazhimit të kancelares Merkel, e cila deklaroi pak kohë më parë se po mendonte për disa propozime rreth emrit, transmeton Alsat.

“Kjo ofensivë diplomatikë e cila pak është edhe enigmatike, unë nuk e di nëse është çështje e politesave të zonjës Merkel apo qëndrim pak më i thellë ose një detyrim të Greqisë duke pasur parasysh raportet Greqi-Gjermani, duke pasur parasysh raportet e rënduara mes këtyre dy vendeve edhe pse Greqia është anëtare e BE-së, si duket do të krijojë një situatë të re ku edhe Greqia dhe Maqedonia do të detyrohen së paku të ulen të negociojnë seriozisht”, tha Alajdin Demiri, ish diplomat, transmeton Alsat.

Për Ish diplomatin Risto Nikovski  fakti që Nimic fillimisht do të vizitojë Shkupin dhe më pas Athinën, ndryshe nga praktika e tij e deritanishme, është sinjal që do të kërkojë qëndrime të prera nga Maqedonia për ndonjë propozim për të cilën ka pëlqimin e Greqisë.

“Ai vjen me një optimizëm të madh që do të thotë se diçka po ndodh. Unë jam i bindur se kjo është në funksion të Merkelit. Ajotani është logjistika e tij, ajo i përmendi disa propozime të fshehta, dhe tani me to do të shërbehet edhe Nimici. Është interesant që fillimisht vjen te ne pastaj shkon në Athinë. Zakonisht shkon tek më i madhi pastaj te më i vogli. Kjo sinjalizon se me Greqinë është arritur ndonjë marrëveshje paraprake dhe tani do të preket pulsi i Maqedonisë dhe ai do që të shkojë në Greqi me diçka më konkrete”, deklaroi Risto Nikovski, ish diplomat.

Megjithatë, ish diplomatët Demiri dhe Nikovski nuk shprehin optimizëm që ky angazhim i shtuar i faktorit ndërkombëtar të rezultojë me zgjidhje përfundimtare teksa autoritet në Shkup dhe Athinë nuk tregojnë gatishmëri dhe vullnet politik për arritjen e zgjidhjes.

“Greqia dhe Maqedonia nuk janë shpresëdhënëse. Nga ana tjetër edhe vetë kreu i BE-së nuk është shpresëdhënës për zgjerim. Por do të ndikojnë edhe situatat të reja si Ukraina, vatrat e krizës do të ndikojnë në një ngritje të tolerancës apo të paktën uljen në tavolinë”, u shpreh Alajdin Demiri, ish diplomat.

“Kjo është e rrezikshme për ne, pasi do të kërkohen lëshime të reja me siguri jo parimore dhe të papranueshme. Prandaj do të jetë periudhë e vështirë…unë nuk jam optimist se Merkel mund të arrijë sukses, pasi Greqia përbën problemin, ajo nuk do të pranonte as edhe po të propozohej erga omnes, pasi kriza atje është shumë e thellë dhe nuk mund të presim zgjidhje për sa kohë që nuk zgjidhet ajo”, deklaroi Risto Nikovski, ish diplomat.

Ndërmjetësi për çështjen emrit Methju Nimic më 28 dhe 29 korrik do të qëndrojë në Shkup ndërkaq më pas do të vizitojë Athinën zyrtare. Në njoftimin e OKB-së theksohej se qëllimi i kësaj vizite është intensifikimi i procesit të negociatave ndërkaq vet Nimic pati deklaruar që pret progres më të madh nga palët në drejtim të afrimit të qëndrimeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button