Fillet e një shteti nacionalist që vjell urrejtje ndaj shqiptarëve

Krijimi i Maqedonisë që nga fillimi ka nisur me shumë gabime sa i përket elementit të kohezionit etnik, sidomos në aspektin e trajtimit të shqiptarëve si shtetas të barabartë të këtij vendi. Që nga shpallja e Maqedonisë si shtet i pavarur, u shkelën të drejtat e shqiptarëve si dhe popujve të tjerë në të. E gjitha filloi nga Referendumi për pavarësimin e Maqedonisë në vitin 1991 ku populli shqiptar nuk përfshihej në Kushtetutën e vendit andaj dhe u bojkotua nga politikanët dhe populli shqiptar. Kështu u shpreh publicisti Ramadan Ramadani në debatin e sotëm në Shkup me anë të së cilit u promovua dhe iniciativa “8 Shtatori” me mision të organizimit të diskutimeve publike në lidhje me të drejtat sociale të shtetasve të Maqedonisë, transmeton Portalb.

“Ky ishte pra të them njëri nga gabimet e para të këtij vendi duke tentuar ta shlyej faktin se ky shtet është multietnik dhe si i tillë duhet definuar në Kushtetutë, gjë që u përmirësua me Marrëveshjen e Ohrit” tha mes tjerash Ramadani.

Ai potencoi faktin se ndërprerja e regjistrimit të popullsisë tregon qartë se jemi vendi më problematik në rajon si dhe krijon hapësirë për përhapje të paragjykimeve mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

“Ky regjistrim i cili u realizua në mënyrë të pasuksesshme u lejon institucioneve që sa më shumë ti ushqejnë njerëzit me paragjykime për atë se sa është numri i shqiptarëve apo i maqedonasve në vend. Pa numra zyrtar, maqedonasit thonë se shqiptarët janë më pak në numër në këtë vend ndërsa shqiptarët thonë se as maqedonasit nuk janë aq shumë sa që thonë. Kjo është më e keqja e e mos zbatimit të regjistrimit” tha mes tjerash Ramadani, transmeton Portalb.

Duke folur për situatën në Maqedoni 22 vite pas krijimt të saj, profesori Vlladimir Millçin tha se nga një vend i cili ishte premtues kur u themelua si shtet, tani është shndërruar një vend stalinist ku mbahen të burgosur politik me drejtësi totalisht të politizuar.

Si një ndër rastet më eklatante të uzurpimit të mendimit të lirë nga politika, dukuri që tani është më se e pranishme, ai përmendi rastin e vitit 1997 kur shqiptarët protestonin me grevë urie për të mësuar në shqip në fakultetin e pedagogjisë në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodij”.

“Paramendoni mbi 400 profesorë, në fakt 460 akademik të cilët tani po na shkruajnë ligjet tona atëherë u ngritën kundër dhe nënshkruan peticion kundër kërkesës që shqiptarët të mësojnë në shqip. Kjo listë e profesorëve është lista e turpit, madje mendoj se ky është gabimi dhe padrejtësia mbase më e madhe ndaj shqiptarëve se sa ajo me Kushtetutën e 91-shit” tha mes tjerash Millçin, transmeton Portalb.

Në këtë debat u përmend dhe rasti i burgosjes së gazetari Kezharovski.

“Kjo që ndodh tani është kulmi i padrejtësisë në Maqedoni” tha Millçin.

“Kjo çfarë ndodh me këtë gazetar është një dhunë politike e turpshme e cila zbatohet drejtëpërsëdrejti nga Qeveria Gruevski. Një ditë do të gjykohen të gjithë këto veprime që tani po i bën kjo qeveri” tha Sasho Ordanovski.

“Kjo qeveri nuk mund të rrëzohet me mjete demokratike. Kjo qeveri po ju them do të bjerë vetëm në mënyrë jo-demokratike, a do të krijohet krizë politike apo do të harxhohen paratë me anë të së cilës Gruevski e mban artificialisht populizmin e tij, do të shohim, por potencoj se me anë të zgjedhjeve asnjëherë nuk do të rrëzohet qeveria e Gruevskit sepse ata kanë vendosur nën kontroll gjitha sektorët” tha Ordanovski, transmeton Portalb.

Ndërkaq, Lidija Dimova nga Qendra për Arsimim Evropian tha se vite më parë Maqedonia ishte e para në euro-integrimet, para Kroacisë, por pas vitit 2007 realisht nuk ndodh asgjë në euro-integrime por vetëm propagandë qeveritare.

“Deri në vitin 2006 u bë puna kryesore për tu anëtarësuar në BE dhe NATO. Ndërsa nga viti 2007 e deri më sot është krijuar një propagandë e madhe ku Qeveria i bind të gjithë se ecim përpara euro-integrimeve, por praktikisht nuk bëjmë hapa përpara. Andaj Qeveria ka uzurpuar mediumet në atë mënyrë që të na prezantojnë një realitet tjetër, ndryshe nga ajo që realisht ndodh në rrugën drejt BE-së”, tha Dimova.

Maqedonia rrezikon të futet në grupin e të ashtuquajturave shtete të papërfunduara, së bashku me Bosnjën, meqë Kosova mendoj se ka dalë nga ky grup, vlerëson ajo. 

Iniciativa “8 Shtatori” me tribunat që do ti mbajë në ditët në vijim ka për qëllim që ti përcjell një mesazh të vetëm popullatës se “na duhet një shtet i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve e jo e kundërta që tani është duke ndodhur”. /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button