Edhe përkundër kontestimeve lustrimi vazhdon, 10 të lustruar të tjerë

Komisioni për Verifikimin e Fakteve po vazhdon punën e tij edhe përkundër kontestimeve dhe pakënaqësive që janë shprehur, sidomos këtyre kohëve të fundit, në raport me vendimet e tij.

Dje Komisioni ka shpallur bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete edhe 10 ish drejtues dhe të punësuar në Drejtorinë e Sigurimit Publik dhe Kundërzbulimit.

Ata sipas Komisionit kanë urdhëruar ndjekjen e politikanëve shqiptarë, të cilët edhe sot e kësaj dite janë aktivë në skenën politike, si dhe  qytetarë të tjerë të dyshuar për ekstremizëm maqedonas.

Kështu midis të lustruarve, bëhet e ditur, se  bën pjesë ish sekretari i Mërgatës ssë Maqedonisë, i cili thuhet se i ka spiunuar mërgimtarët në Australi, pastaj drejtori i një Shtëpie botuese, gazetar dhe ish redaktor në Radion e Maqedonisë, si dhe ish kryeshefat e Drejtorive të Sigurimit publik dhe Kundërzbulimit në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë.

Ndërkaq mediat në gjuhën maqedonase kanë informuar se në rrethet letrare maqedonase flitet se një nga të lustruarit është edhe Bozhin Pavllovski, i cili sipas këtyre mediave ka reaguar ashpër, para disa ditëve, kur Komisioni lustroi shkrimtarin e njohur Sllavko Janevski.

Pavllovski, reagoi publikisht shumë ashpër atëherë, duke pyetur kryeministrin, të cilin ai e quan të plotfuqishëm, se kush ja imponoi lustrimin e Janevskit.

“Gjatë 71 vjetëve të jetës time mbaj mend vetëm dy politikanë të cilët mund të bëjnë gjithçka, Nikolla Gruevskin dhe Llazar Kolisheskin. Ky më i riu, i cili është edhe 10 herë më i “plotfuqishëm”, se  paraardhësi i tij karizmatik, nuk është i vetëdijshëm se në çka e kanë futur, me lustrimin e akademikut Janevski”, transmetojnë mediat maqedonase reagimin e tij me shkrim të para disa kohëve.

Ai është shprehur se, pasojat për partinë drejtuese në vend dhe jetën krijuese dhe artistike do të jenë të tmerrshme pas lustrimit të Janevskit, ndërkohë që ka shtuar se nuk beson që kryeministri, sipas tij, e ka toleruar këtë turp dhe akt të ulët. Pavllovski, në reagimin e tij, kishte shfaqur besimin se kryeministri  do të reagonte shpejt dhe do të evitonte sadopak dëmin që ishte shkaktuar.

Nga an tjetër, po sipas mediave në gjuhën maqedonase, në mesin e të lustruarve është edhe një kryeshef i Sigurimit Publik dhe kundërzbulimit, i cili sipas Komisionit ka urdhëruar ndjekjen e politikanëve, dosjet e të cilëve më pas ua ka dorëzuar atyre.

Ai është dënuar me kusht, por Gjykata e Apelit e ka shfuqizuar vendimin për dënimin e tij, sepse nuk ka vërtetuar nëse dosjet e dorëzuara janë origjinale apo të falsifikuara. 

Lajme të ngjashme

Back to top button