Jeta jonë, PORTOKALLI

Lexova në një portal maqedonas një lajm paksa të vjetëruar që një asteroid me madhësinë e njërës nga përmendoret në qendër të Shkupit për pak sa nuk e paska goditur Maqedoninë. Në fund të lajmit konstatohet që largësia e asteroidit nga orbita e Maqedonisë është rreth 2.5 milion vjet dritë, aq sa edhe investimet e huaja të paralajmëruara gjatë kampanjës zgjedhore. Kuptohet, lajmi është dhënë në formë të një parodie të skenës politike në vend.

Është e lezetshme të lexosh lajme të këtilla. Duhet ta pranoj që më kanë munguar lajmet e Sitelit apo të Kanal 5 këto ditët e fundit që nuk kam patur mundësinë të ndjek televizorin. Se edhe ato janë komike në formën e vet. Por kjo parodi ishte gjeniale. Lajme të tilla ta bëjnë realitetin më të këndshëm për ta pranuar ashtu siç është, tragjik për ne që mundohemi të mbijetojmë me shtrenjtime e shtrëngime, por edhe komik sepse nga jashtë kush na sheh mund të qeshet me parodinë e jetëve tona.

Vetëm disa muaj më parë bombardoheshim me reklama dhe me billborda që premtonin një Maqedoni më të mirë pas zgjedhjeve. Na premtohej një epokë e re e zhvillimit ekonomik dhe kënaqësisë sociale, sepse do të punësoheshin me dhjetëra mijëra të rinj nëpër kompanitë e ardhura nga jashtë në formë të investimeve direkte. Nëse nuk gaboj, ishte mbi 60.000 numri i të rinjve shqiptarë që do të punësoheshin falë punës së palodhur nga partia fitimtare – BDI. Na premtohej një Maqedoni ku shqiptarët do të jetonin më të sigurtë për veten dhe bizneset e tyre. Pastaj në gjashtë muajt e parë të qeverisjes partia shqiptare në pushtet do të kishte zgjedhur probleme të tilla madhore si zgjedhja e një emri të ri për shtetin, rrjedhimisht edhe integrimi i vendit në NATO dhe zgjidhja e çështjes së gjuhës shqipe. Bile premtuan që do të bëhej edhe riregjistrimi i mbetur përgjysmë i popullsisë. Në këto muajt e parë të qeverisë së re e të vjetër, këto premtime janë më shumë material humori për artistët gjenialë të Portokallisë dhe Albpazarit, sesa realitet. Them kështu sepse edhe njëherë një popull i tërë u gënjye nga një tufë politikanësh. Nuk është hera e parë që ndodhën, edhe ishte e pritshme, sepse kam shkruar në këtë drejtim. Prandaj nuk e dij pse ndihem keq kur vërtetohem që asgjë nuk është e realizueshme nga sa u premtua.

Në muajt e parë pas zgjedhjeve lajmet kryesore kanë qenë shtypja akoma më e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë, pa hasur as kundërshtim as edhe rezistencë nga të zgjedhurit e popullit. Përmend këtu rastin e familjes nga Radishani, rastin e vandalizmit të ushtruar ndaj shqiptarëve në Gjorçe Petrov të Shkupit, pastaj gjykimi i rastit Monstra dhe protestave që pasuan të shtypura me gjak. Dua të theksoj me këtë rast rolin e vëllaut të madh që duhet të luajnë partitë politike ndaj popullit. Partitë politike në vete janë shprehje organike e vullnetit të zgjedhësve të tyre. Roli i tyre i vëllaut të madh duhet të materializohet me rezultate pozitive. Këto rezultate pozitive në rradhë të parë do duhej të kishin qenë të dukshme këto ditë të turbullta, në formë të një reagimi më të fuqishëm dhe më bindës politik të partisë shqiptare në pushtet. Ndërkaq reagimi i tyre ishte i vonuar dhe i ngathtë, aspak bindës.

Ndoshta mund të duket e lehtë të jesh këtu pas ekranit të kompjuterit e të kritikosh sa ta ka ënda. Ndoshta nuk e kanë të lehtë as ata të veprojnë përpara një maqinerie politike maqedonase që kontrollon aparatin shtetëror në të gjitha format e veta. Por dominimi politik i VMRO-së nuk e lehtëson fajin e BDI-se për dështimet e njëpasnjëshme politike në kuadër të mbrojtjes së interesave të popullit që i voton. Sepse gjendja e tyre e pavolitshme përkrah VMRO-së sot është pasqyrë e lojës së dobët prej një humbësi që kanë luajtur vite të shkuara me rradhë. Është e vështirë të fitosh terrenin e humbur në një gjendje të tillë disfate politike.

Ajo që na mbetet të bëjmë, është të qeshemi me fatkeqësinë tonë. Ndoshta po e kuptuam jetën me më shumë humor, edhe Zoti do të na dojë pak më shumë e të na falë pak qetësi e mirëqenie. Shpresa jonë e vetme jemi vetë ne!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button