Qeveria kërkoi që mediat të mos zbardhin informata lidhur me borxhin

Qeveria, me porosi të ashpër ndaj mediave. Qeveria kërkoi sot që mediat të mos zbardhin informata të brendshme në opinion, lidhur me borxhin me euro obligacion. Zëdhënësi i qeverisë, Aleksandar Gjeorgjiev, iu kërkoi të gjitha mediave të heshtin, veçanërisht televizionit Alsat M që një ditë më parë publikoi se borxhi i ri do të jetë rreth gjysmë miliardi euro. Ndonëse Gjeorgjiev thotë se bëhet fjalë për informacion të brendshëm që mund të dëmtojë procesin, megjithatë Alsat M publikoi informacionin zyrtar që nuk është marrë në rrugë të brendshme, përkatësisht, referuar vendimit për euro obligacionin me të gjitha të dhënat, që para një jave ishte publikuar në Gazetën Zyrtare. Në këtë vendim theksohej se borxhi me euro obligacion do të jetë 500 milionë euro, për më së shumti 10 vjet.

“Unë shpresoj se do e kuptoni qëndrimin tonë, për shkak të natyrës së procesit dhe mundësisë së sensibilitetit dhe elasticitetit të çmimeve, si dhe për mundësinë e ndikimit në proces  me publikimin e informatave të caktuara që mund të jenë të brendshme. Për momentin nuk do japim detaje rreth këtij procesi dhe qëndrojmë në atë që theksoi dje, vetë kryeministri. E keni qëndrimin e thënë në mënyrë precize dhe të qartë dhe shpresoj se do e kuptoni. Ky nuk është proces i thjeshtë, ky është proces  në të cilin, në një moment të caktuar informatat që lëshohen duhet të balancohen. Unë iu bëj thirrje të gjitha subjekteve që kanë përgjegjësi të caktuar shoqërore që ndaj këtij procesi të sillen me përgjegjësi, sepse kjo mund të ketë ndikim në aspekte të tjera të caktuara të këtij procesi. Qëllimi i qeverisë, institucioneve dhe mediave është që të sigurohet aspekti më i mirë i mundshëm, kushte më të mira sepse kjo është në interesin e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, deklaroi Aleksandar Gjeorgjiev, zëdhënës i Qeverisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button