Protestat në Maqedoni, Nuland merr garanci nga Meta: Mbështesim dialogun

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, me të cilën u bisedua rreth forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe ShBA-ve, ecurisë së reformave në vend dhe mbi zhvillimet në rajon.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të ShBA-ve në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, në drejtim të forcimit të institucioneve demokratike, si dhe për rolin personal të Nuland në mbështetje të anëtarësmit të Shqipërisë në NATO.

Ndihmës Sekretarja e Shtetit Amerikan e uroi Metën për miratimin e statusit të vendit kandidat për në BE, duke nënvizuar se ShBA-të do të qëndrojnë edhe më pranë Shqipërisë në drejtim të avancimit të të gjitha reformave të nevojshme për progresin e vendit drejt perspektivës evropiane.

Ndërsa Meta shprehu bindjen se qytetarët shqiptarë presin që politikëbërja e Shqipërisë dhe e rajonit të afrohet me standartet evropiane dhe në këtë drejtim Kuvendi do të shërbejë si një platformë solide e dialogut politik, transparencës dhe gjithëpërfshirjes, në mënyrë që reformat e ndërmarra të japin rezultate të prekshme. Në këtë kuadër, mirëpritet dhe inkurajohet kontributi pozitiv i opozitës dhe bashkëpunimi i të gjitha palëve politike, grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.

Meta dhe Nuland biseduan edhe lidhur me forcimin a bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe ShBA-ve, ku kreu i Kuvendit vuri në dukje se Qeveria po ndërmerr masat e nevojshme për përmirësimin e klimës së investimeve, duke theksuar se Shqipëria mbetet e hapur për rritjen e pranisë së kompanive dhe ekspertizës amerikane në vend e në rajon.

Meta dhe Nuland diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon. Meta shprehu mirënjohjen për rolin e Shteteve të Bashkuara në forcimin e demokracisë në Kosovë, duke theksuar se për sa u përket ngjarjeve të fundit shqetësuese në Maqedoni, Shqipëria mbështet dialogun konstruktiv mes palëve në frymën e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, duke mos harruar se çdo hap që hidhet në rajon duhet t’i shërbejë klimës së mirëkuptimit, bashkëjetesës dhe forcimit të paqes, stabilitetit dhe progresit ekonomik të të gjithë qytetarëve tanë./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button