Morsi tha se nuk do të tërhiqet
Duke folur në Televizionin shtetëror, mbrëmë vonë, Morsi i fajësoi lojalistët e ish-liderit Hosni Mubarak, për trazirat aktuale, me ç’rast tha se ka përpjekje për përmbysjen e qeverisë së tij.
Presidenti i Egjiptit, Mohamed Morsi, thotë se nuk do të tërhiqet dhe ka shprehur përkushtim që “legjitimitetin e tij kushtetues” ta mbrojë me jetë.
Morsi ka premtuar një varg të masave për arritjen e konsensusit politik me kundërshtarët, përfshirë edhe ndryshimin e kabinetit të tij.
Fjalimi i tij u bë në kohën kur ekziston ultimatumi i ushtrisë, i cili skadon sot më vonë gjatë ditës.
Ushtria po kërkon që Morsi dhe kundërshtarët e tij të gjejnë një kompromis, për kapërcimin e krizës së tashme politike në Egjipt.Nëse kjo nuk arrihet, ushtria tha se do ta zbatoj planin e vet.
Njëherësh, dhjetëra mijëra mbështetës dhe kundërshtarë të presidentit Morsi, gjatë natës, kanë mbajtur tubime në kryeqytetin Kajro dhe në qytete të tjera të Egjiptit.