Ziadin Sela, takon Albin Kurtin dhe Shpend Ahmetin

Gjatë ditës së sotme, kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, ka qëndruar në Prishtinë ku ka realizuar takime shumë të frytshme me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin dhe kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Fillimisht, Sela u takua me kryetarin e komunë së Prishtinës, Shpend Ahmeti, takim ky i realizuar në ambientet e komunës së Prishtinës, ku në një atmosferë të ngrohtë u bisedua për shumë çështje me rëndësi për të dy komunat, kryesisht për problemet që hasen nga menaxhimi me këto komuna e me theks të veçantë për praktikat e përbashkëta si komuna opozitare.

Gjatë takimit u shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërkomunal, mes Prishtinës dhe Strugës dhe me theks të veçantë për atë që quhet Unioni i komunave me kryetarë shqiptarë, që sipas tyre më lehtë mund të vijë në jetë përmes bashkëpunimeve në fushën e kulturës.

Nuk u la pa përmendur edhe situata aktuale politike në të dyja vendet, me problemet që hasin shqiptarët në Republikën e Maqedonisë, ku ndër tjera Shpend Ahmeti  çmoi punën që po bën  kreu i komunës së Strugës, Ziadin Sela, në menaxhimin me komunën, por edhe për kontributin e tij në jetën publike në Republikën e Maqedonisë.

Pas vizitës që kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela i  bëri komunës së Prishtinës dhe takimit me kreun e saj, Shpend Ahmetin, ai i shoqëruar edhe nga ish deputeti i PDSH-së, nga dega e Ohrit, Bekim Qoku, realizoi takim të frytshëm  me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në zyrën e këtij të fundit.

Kryesisht u bisedua për situatën aktuale politike, për Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë dhe situatën pas zgjedhjeve, ku kreu i Strugës, përgëzoi Kurtin për rolin e tij dhe Vetëvendosjes gjatë procesit zgjedhor, të cilin Sela  e vlerësoi si më demokratik deri tani.

Me theks të veçantë u fol për gjendjen jo të mirë të shqiptarëve në Maqedoni, për politikat diskriminuese të shtetit ndaj popullatës shqiptare dhe rolin inferior dhe paaftësisë së partisë shqiptare në pushtet, BDI për të zgjidhur çështjet kyçe sa i përket të drejtave të shqiptarëve edhe pse  për të disatën herë me radhë del fituese në zgjedhje.

Kur jemi këtu, Sela i dha edhe argumentet e tij në lidhje me situatën aktuale që mbizotëron në  Partinë Demokratike Shqiptare, parti e cila për vite me radhë nuk arrin të fitojë besimin e qytetarëve shqiptarë edhe përkundër gjendjes së rëndë dhe të mjerueshme në të gjitha fushat e jetës, që ka kapluar qytetarët  shqiptarë në Maqedoni.

Sela arsyetoi lëvizjen e tij brenda për brenda partisë, për reformimin e PDSH-së, që sipas tij do të sjell freski në këtë parti, që më në fund të arrihet fitorja e madhe e saj e me këtë të vihet në jetë Marrëveshja e Re Politike, që tashmë disa vite është shndërruar në Platformë të PDSH-së, e ideuar nga ish-Kryetari i saj, i ndjeri Arbën Xhaferi.

Nga ana tjetër lideri i Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh se nga afër i ndjekin ngjarjet politike në Maqedoni dhe theksoi se shqiptarët e Maqedonisë duhet më me ngulm të kërkojnë atë që u takon nga shteti.

Kurti e vlerësoi aktivitetin politik të Selës dhe risinë që sjell ai me nismën për demokratizimin e brendshëm të subjekteve politike, në këtë rast për lëvizjen për reformim të partisë opozitare shqiptare, PDSH e cila sipas tij duhet të jetë mburoja kryesore e të drejtave të shqiptarëve të kësaj ane.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button