Egjipt, qindra të torturuar në burgjet sekrete

Intervistat me ish-të burgosurit egjiptian si dhe me avokatët e aktivistët e të drejtave të njeriut, njoftojnë se qindra të “zhdukur” Egjiptas janë duke u torturuar jashtë mbikëqyrjes gjyqësore në një burg të fshehtë ushtarak.

Sipas The Guardian, të ndaluarit janë marrë atje me sytë e lidhur, dhe që atëherë konsiderohen të zhdukur.

Deri në 400 persona janë duke u torturuar dhe mbajtur jashtë mbikëqyrjes gjyqësore. Kjo jep shembullin më të qartë të një goditjeje në shkallë të gjerë, e që Amnesty dhe Human Rights Watch e kanë quajtur “represion i shkallës së paparë në historinë moderne të Egjiptit”.

Që nga regjimi ushtarak i instaluar verën e kaluar, rreth 16.000 të burgosur politikë janë arrestuar. Ajo që ndryshonte tek këta të burgosur nga të tjerët është mënyra se ata po mbahen jashtë sistemit ligjor të Egjiptit, në rrethana që lejojnë edhe rojet e burgut të ushtrojnë çfarëdo dhune ndaj tyre.

Sipas raporteve të The Guardian, të burgosurit e zhdukur po mbahen në burgun e quajtur Azouli.

“Ai nuk është si burgjet normale. Nuk mund të gjendet asnjë dokumentacion që thotë se ju jeni aty. Nëse ju vdisni në Azouli, askush nuk do ta kuptojë. ”

Burgu Azouli shtrihet brenda një kampi të madh ushtarak në Ismailia, një qytet 62 kilometra në veri-lindje të Kajros. Ky burg nuk mund të vizitohet nga civilët.

Disa nga të burgosurit vijnë nga Vëllazëria Myslimane, e të tjerët u përfshinë në protestat e studentëve. Një pakicë e onsiderueshme janë njerëz që nuk kanë lidhje me lëvizjet fetare. Të paktën tre prej tyre janë të mitur, dhe një i burgosur ishte gazetar, njofton nje burim i The Guardian.

Qysh nga nisja e regjimit ushtarak në Egjipt para një viti, mijëra persona janë vrartë dhe dhjetëra mijëra janë burgosur dhe po mbahen në kushte çnjerëzore.

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësime për nivelin e lartë të shtypjes së civilëve, por edhe të mediave të lira. /mesazhi/

Lajme të ngjashme

Back to top button