Shkëndija shumë e fortë për Dritën (Video)

Futbollistët e Shkëndijës kanë mundur Dritën e Bogovinës me rezultat të thellë 6:1 në një ndeshje kontrolluese të zhvilluar të hënën në Stadiumin e Qytetit në Strugë. Anëtari i Ligës së Dytë ka qenë kundërshtar i denjë vetëm në minutat e para të ndeshjes kur edhe avansuan me golin e Valmir Jonuzit në minutën e 10-të, ndërsa në vazhdim takimi ngjante në ‘trafik njëkahësh’ pasi Shkëndija kishte dominim të plotë në teren.

Barazimi ka ardhur në minutën e 26-të kur Kurtishin dërgoi topin në rrjetë për rezultat 1:1 dhe me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë.

Në pjesën e dytë shefi i stafit teknik i KF Shkëndija, Roy Ferençina bëri disa zëvendësime, duke inkuadruar në lojë gjithë futbollistët që pjesën e parë kishte në pankinë. ‘Rezervat’ si duket ishin më të motivuar për lojë, ndryshuan tempon dhe ecurinë e përballjes.

Vetëm tetë minuta në pjesën e dytë i mjaftuan Shkëndijës që të sjellë golin e epërsisë. Elvir Nurishi gjen në zonë Selmanin, i cili godet saktë për 2:1. Dy minuta më vonë ishte  Asani i cili asiston te Demir Imeri e që ky me goditje të ulët realizon për 3:1. Shkëndija nuk u ndal me kaq dhe vazhdoi të shtypë kundërshtarin, duke sjellë në vazhdim edhe tre gola tjerë. Në minutën e 75-të bullgari Martin Kavdanski shënon golin debutues në fanellën e Shkëndijës, duke ngritur epërsinë në 4:1. Seria e golave vazhdoi kur Imeri realizon golin e dytë personal dhe të pestin për Shkëndijn. Tre minuta më vonë Elvir Nurishi prodhon goditje të bukur nga distanca duke finalizuar rezultatin Shkëndija 6, Drita 1.

Me këtë fitore Shkëndija ka rrumbullaksuar me sukses përgatitjet njëjavore në Strugë, duke shënuar triumfin e dytë, pas atij 3:0 të enjten e kaluar me Mlladost Carev Dvorin. Pas mbylljes së ndeshjes futbollistët janë kthyer në Tetovë ku do të kenë dy ditë të lira, ndërsa të enjten udhëtojnë për në Bansko të Bullgarisë ku do të zhvillojnë fazën e dytë dhe kryesore të përgatitjeve para paraqitjes në kualifikimet për Liga Evropa. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button