Me video-fjalimin e Kulebas filloi Takimi Ministror i A5 në Shkup

Takimi i cili mbahet në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me iniciativën A5 u hap nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa fjalim përshëndetës kishte edhe ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba, transmeton Portalb.mk.

Në fjalimin e tij, Osmani i prezantoi prioritetet e kryesimit të vendit me Kartën, që po mbahet në 20 vjetorin e formimit të saj. Njëherit, e rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën dhe popullin ukrainas, si dhe dënimin e fuqishëm për agresionit rus.

“Takimi i sotëm ministror është një mundësi tjetër për të theksuar mbështetjen e mëparshme të vendeve anëtare të Kartës për Ukrainën, por edhe për të theksuar gatishmërinë tonë për ndihmë të mëtejshme, praktike dhe humanitare për popullin ukrainas. Që nga fillimi i luftës e deri më sot, të gjitha vendet anëtare të A5 nga rajoni kanë dhuruar rreth 17 milionë dollarë ndihmë humanitare, ndërsa pjesa më e madhe e vendeve anëtare të rajonit kanë siguruar rreth 214 milionë dollarë ndihmë ushtarake. Së bashku me ShBA-në, këto shuma sërish i kalojnë 1.62 miliardë dollarë ndihma humanitare, respektivisht 32.7 miliardë ndihma ushtarake”, tha Osmani

Ministri Kuleba i përshëndeti aktivitetet dhe prioritetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me SHBA – Karta e Adriatikut, që po mbahet në kushtet e luftës brutale të Rusisë në Ukrainë. Njëherazi, ai falënderoi për ndihmën që Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit e ofrojnë për Ukrainën, duke theksuar se A5 është e një rëndësie thelbësore për sigurinë e Evropës.

“Me rëndësisë thelbësore është që Karta e Adriatikut të përshtatet me realitetin e ri në dritën e sfidave aktuale të sigurisë. I mirëpres planet tuaja për forcimin e rolit politik të Kartës dhe gjetjen e mekanizmave të rinj të sigurisë për rajonin. Karta e Adriatikut e lehtësoi integrimin euroatlantik të Ballkanit. Ukraina është në rrugën drejt NATO-s, kështu që ne e dimë se sa e rëndësishme ishte kjo”, tha Kuleba.

Ndër të tjera, falënderoi për ndihmën që Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit ofrojnë për Ukrainën, gjë që është e një rëndësie jetike në fushën e betejës për mbrojtësit ukrainas, të cilët me jetë mbrojnë si Ukrainën, ashtu dhe vlerat demokratike.

Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e RMV-së

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button