Qeveria e Republikës Sërpska miratoi ligjin për “agjentët e huaj”, BE shprehi keqardhje

Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar një projektligj, përmes së cilit u kërkon organizatave jofitimprurëse të financuara nga jashtë që veprojnë në njësinë serbe të Bosnjës, të regjistrohen dhe të raportojnë për punën e tyre, transmeton Radio Evropa e Lirë (REL).

Projektligji, i cili u mbështet nga udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik, u miratua më 23 mars nga qeveria.

Dodik thotë se legjislacioni do t’u kërkojë organizatave të financuara nga jashtë që veprojnë në Republikën Sërpska – entiteti i Bosnjë e Hercegovinës që Dodik drejton – të raportojnë “gjithçka që po bëjnë”.

Komunikata e lëshuar pasi qeveria miratoi masën, thoshte se ligji ekzistues për shoqatat dhe fondacionet e financuara nga jashtë rregullon themelimin, regjistrimin, organizimin e brendshëm dhe ndërprerjen e punës së tyre, por jo transparencën e tyre.

Në komunikatë thuhet se aktiviteti i tyre politik, publikimi i raporteve financiare dhe “mbikëqyrja e ligjshmërisë së punës së tyre dhe dispozita të tjera” janë ndër gjërat që nuk janë rregulluar.

Qeveria pretendon se ky boshllëk në rregullore krijon një situatë që mund të çojë në “kolapsin e sistemit ligjor dhe kornizës kushtetuese të [Republikës Sërpska], dhu mund të shkaktojë pasoja të dëmshme për institucionet dhe organizatat e [Republikës Sërpska]”.

Projektligji tani kalon në Asamblenë Kombëtare të Republikës Sërpska për debat. Kjo do të pasohet nga një periudhë dymujore për diskutim publik. Një version i përshtatur i ligjit do të kthehet më pas në Asamblenë Kombëtare për më shumë diskutim dhe votim.

Nëse kalon, ligji do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit të presidentit.

Dodik, kreu i partisë më të madhe politike në Republikën Sërpska, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD), ka thënë më parë se projektligji bazohet në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-së (FARA).

Një ligj i ngjashëm për “agjentët e huaj” në Rusi ka rezultuar i diskutueshëm dhe është përdorur për të penguar punën e organizatave mediatike, përfshirë Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarët amerikanë kanë argumentuar se Rusia përdor ligjin e saj për “agjentët e huaj” për të heshtur mospajtimet dhe për të dekurajuar shkëmbimin e lirë të ideve dhe kanë thënë se nuk ka “asnjë ngjashmëri” midis ligjit për “agjentët e huaj” të Rusisë dhe FARA-s së SHBA-së.

Sipas regjistrit të shoqatave dhe fondacioneve, Bosnja ka rreth 25,600 organizata joqeveritare, duke përfshirë 7,500 me bazë në Republikën Sërpska. Nuk ka të dhëna se sa prej tyre financohen nga jashtë.

BE shpreh keqardhje për ndryshimet në Ligjin penal në Republikën Sërpska

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për ndryshimet në Ligjin penal në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, përmes të cilit shpifja bëhet vepër penale.

Sipas Bashkimit Evropian, këto ndryshime do të vendosin kufizime të panevojshme dhe disproporcionale për lirinë e mediave dhe shoqërinë civile.

Bashkimi Evropian, në një komunikatë të lëshuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) rikujton se, kur Bosnjë e Hercegovinës iu dha statusi i kandidatit, u definuan edhe hapat që duhet të administrohen, në mesin e të cilëve janë edhe forcimi i lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.

“Vendimi i sotëm është qartë një hap në drejtim të gabuar dhe ka efekt dëmtues në lirinë e mediave në Republikën Sërpska. Në të njëjtën kohë, vë në dyshim edhe përkushtimin strategjik të partisë në pushtet në Republika Sërpska për integrimin e Bosnjë e Hercegovinës në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e BE-së.

BE-ja tërheq vërejtjen se, nëse ky ligj në fund miratohet, do të paraqesë një goditje të rëndë për mjedisin e veprimit të shoqërisë civile, lirinë e shprehjes, lirinë e mediave dhe shënon hap mbrapa në mbrojtjen e të drejtave themelore.

“BE-ja i bën thirrje entitetit Republika Sërpska që ta tërheqë këtë ndryshim dhe të sigurojë mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe mediave”, thuhet në komunikatë, ku ndër tjerash BE-ja ia rikujton Bosnjë e Hercegovinës se duhet t’i respektojë prioritetet të cilat i ka caktuar Komisioni Evropian në mendimin për statusin e kandidatit për këtë shtet, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes.

Ashpërsimi i Ligjit penal për të ndëshkuar gazetarët në entitetin serb të Bosnjë e Hercegovinës shihet nga diplomatët në BE si një tentim i liderit të këtij entiteti, Milorad Dodik, për të heshtur mediat kritike ndaj tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button