Obama: Nuk dërgojmë më trupa në Irak
Presidenti amerikan, Barack Obama, gjatë konferencës me gazetarë që sapo u mbajt në Uashington ka thënë se ju takon irakianëve që të merren me çështjet e tyre të sigurisë.
“Përfundimisht iu takon irakianëve që të zgjidhin problemet e tyre”, iu ka thënë gazetarëve Obama.
Presidenti amerikan gjithashtu e ka hedhur poshtë mundësinë që Shtetet e Bashkuara Amerikane të dërgojnë trupa ushtarake në Irak për të ndihmuar këtë të fundit të përballet me ofenziven e militantëve të “Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit”.
Militantët e kësaj organizate kanë arritur të marrin kontrollin mbi disa qytete irakiane, ndërsa kanë thënë se do të avancojnë drejt kryeqytetit, Bagdad.
Presidenti amerikan ka thënë se ndonëse SHBA-të nuk do të dërgojnë trupa në Irak, po “shikon për disa opsione”.
Barack Obama gjithashtu vlerësoj se avancimi në terren i “Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit” janë kërcënim edhe për interesat amerikane. /Telegrafi/