SHBA-ja e shqetësuar me kundërshtimet e opozitës ndaj planit evropian

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të shqetësuara me deklaratat kundërshtuese të liderëve opozitarë dhe zyrtarëve të partive opozitare ndaj propozimit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë. Sipas këtij zyrtari, qëndrimet e opozitës nuk janë në përputhje me përkrahjen e SHBA-së për propozimin evropian.

Në një përgjigje për KOHËN, Ambasada ka deklaruar se e ka bërë të qartë përkrahjen që i ka dhenë dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Në veçanti, përkrahim plotësisht propozimin e BE-së për rrugën drejt normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përpjekjet tona të përbashkëta për ta çuar këtë propozim përpara kanë përfshirë konsultimet me partitë opozitare të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Ambasadës. “Në nivelet më të larta të Qeverisë, SHBA-ja e ka bërë të qartë këtë mbështetje. Presidenti Biden dhe sekretari Blinken, në komunikimet e fundit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, kanë nënvizuar se propozimi ka mbështetjen tonë të fuqishme dhe do ta çojë Kosovën drejt stabilitetit më të madh rajonal, prosperitetit ekonomik dhe integrimit evropian e euroatlantik”.

Deri tash, nga partitë opozitare ka qenë vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që ka mbështetur përmbajtjen e propozimit evropian. Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti që e ka pranuar këtë plan.

“Jemi të shqetësuar me deklarimet e bëra nga liderët dhe zyrtarët e partive opozitare që kanë shprehur kundërshtimin ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me përkrahjen e SHBA-së për propozimin”, thuhet në përgjigje.

Më 27 shkurt, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan për përmbajtjen e planit evropian. Ata pritet t’i vazhdojnë diskutimet për implementimin e tij, sipas zyrtarëve të BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button