Inteligjenca artificiale dhe utopia e fundit

Zhvillimet më të të fundit në inteligjencën artificiale (AI) kanë lënë pa frymë enthuziastët e saj dhe bombarduar diskursin publik me parashikimet e llojit të “AI është e ardhmja e pashmangshme” apo “e ardhmja është pashmangshmërisht AI.” Një skeptik i lindur si unë – apo i sëndërtuar socialisht si skeptik gjatë 25 viteve të jetës time në socializëm dhe, për më tepër, i kalitur si skeptik nga dështimet e demokracisë – e ka pakëz të vështirë të pajtohet me idenë e pashmangshmërisë së një lloj të ardhmeje jo vetëm për shkak të përjetimit empirik të dështimeve të mëhershme të parashikimeve të tilla por edhe për shkak të problemeve të jashtëzakonshme etike që sjell inxhinerimi social i një të ardhmeje të tillë. Unë vetë nuk mundet ta dij nëse e ardhmja do të jetë AI dhe as nuk do ta dëshiroja një të ardhme të tillë.

AI nuk është aspak e re në përmbajtje. Endrra për një botë të përsosur përtej kësaj aktuales është e vjetër po aq sa edhe njeriu. Një ëndërr e tillë ka krijuar Zotin, Parajsën, shpagimin apo fundin e historisë. Fillimisht ëndërrime të tilla ishin parokiale dhe në dukje të pafajshme përveçse rasteve kur binin në duart e politikanëve dhe shndërroheshin në vrastare.

Revolucioni Industrial, lindja e makinës dhe shfaqja e individit të lirë

Por do të duheshin zhvillimet e jashtëzakonshme teknologjike të Revolucionit Industrial të fundit të Shekullit XVIII dhe fillimit të Shekullit XIX që t’u jepnin krahë ëndrrave të njeriut për një të ardhme përsosshmërisht të manifakturuar, ashtu sikundër magjia e makinës lehtësisht manifakturonte përsosshmërisht prodhime që më parë i bënte keq e keq dora e trashë e artizanit.

Tani makina ofronte realisht atë që më parë ishte spekuluar vetëm filosofikisht: një të ardhme të begatë ku individi nuk është më në fund të zinxhirit ushqimor shoqëror, skllavi i lindur për të punuar dhe vuajtur. Tani ky individ ka fuqi, ai kontrollon makinën, e cila punon për të. Makina solli transformime të papara sociale dhe, për herë të parë në historinë e njeriut, solli konceptin e individit të lirë.

Deri asokohe, njeriu konsiderohej si prodhim dhe peng i rrethanave shoqërore në të cilat ai jetonte. Mirëpo ja ku del makina si një konstrukt social inferior ndaj cilitdo individ, sapo i varfër apo i nënshtruar të jetë ai, dhe papritur edhe ky i varfër apo i nënshtruar zbulon agjensinë e tij si një individ me pushtet mbi këtë makinë. Kjo vetëdije për këtë pushtet solli implikime të tjera ontologjike siç janë arsyetimet për rolin e këtij individi në shoqëri, të drejtat e tij dhe marrëdhënia e tij me individë të tjerë dhe me shoqërinë.

Ngritja e ideologjive politike dhe roli qendror i makinës në utopitë politike

Nuk është e rastit që, njëkohësisht me makinën moderne, shpërtheu një larmishmëri strukturash utopike mendimi. Në fillim ato ishin primitive dhe të cekta në formën e kontratës sociale të Rusosë [Jean Jacque Rousseau] apo fundit të historisë së Hegelit [Georg Wilhelm Friedrich Hegel] por gradualisht filluan të sofistikohen – ashtu si edhe makinat – dhe lidhën më mirë logjikisht burimet e realitetit të pakëndshëm bashkëkohor dhe rrugët e daljes prej tij. Teori të tilla si marksizmi, feminizmi dhe racizmi/nazizmi të gjitha e panë zhvillimin e shoqërisë si përplasja mes grupeve shoqërore rivale (për marksizmin, klasat; për feminizmin, gjinitë; dhe për nazizmin, racat).

Për të gjitha këto, makina ishte ose në thelbin e konfliktit social, ose zgjidhja e tij, ose të dyja bashkë. Për marksistët, makina ishte ajo çka e bënte puntorin puntor, burimi i ekzistencës, çlirimit por edhe i shtypjes ë tij. Për nazistët, makina ishte mjeti dhe simboli i superioritetit të racës ariane mbi racat e tjera inferiore dhe pamekanizuara. Për një feministe si Fajerstoni [Shulamith Firestone] makina do mundësojë triumfin e femrave mbi meshkujt. Sipas saj, femrat janë përbrendësisht superiore ndaj meshkujve, por këta të fundit shfrytëzojnë dobësimin fizik të grave nga shtatëzania për të marrë në duar sundimin mbi familjen dhe shoqërinë.

Por zhvillimet teknologjike sot kanë mundësuar fertilizimin njerëzor në epruvetë si edhe inkubatorë për të zëvendësuar shtatëzaninë në trupin e femrës. Kësisoj, makina do të shërbejë tani për rikrijimin njerëzor dhe gratë, të papenguara nga shtatëzania, do përdorin superioritetin e tyre fizik dhe intelektual për të marrë në duar kontrollin e shoqërisë njerëzore.

Të gjitha këto teori ishin njëkohësisht utopike dhe teleologjike. Ato ishin utopike sepse e mbështesnin arsyetimin e tyre mbi pandehma të patestueshme dhe madje të parsyeshme për natyrën njerëzore; dhe ishin teleologjike sepse të gjitha sëndërtonin një nivel përfundimtar të zhvillimit njerëzor i cili do ishte aq i përsosur, sa kjo do sillte fundin e historisë dhe asgjë nuk do ndodhte më pas: komunizmi, gratë apo raca ariane do sundonin në përjetësi.

Në qendër të kësaj të ardhmeje do ishte makina, e cila do punonte për njeriun dhe do prodhonte lumturinë e tij. Vala e dytë dhe e tretë e Revolucionit Industrial (radio dhe gjysëmpërçuesit, përkatësisht) sollën sofistikime të mëtejshme në këto sisteme mendimi, madje edhe revoltë kundër makinës (ekologjistët po ankohen tani për ndotjen e planetit nga robotët ashtu siç ankoheshin dikur për ndikimin negativ të makinave ndaj mjedisit) por nuk e ndryshuan thelbin e marrëdhënies mes njeriut dhe makinës: makina punon për njeriun.

Dhe ja ku shfaqet AI. Ajo po përparon me shpejtësi duke lulëzuar mbi aspiratën e pashërueshme njerëzore për inovacion dhe përparim por edhe mbi pakujdesshmërinë e njeriut ndaj problemeve të mëdha etike dhe sociale që sjell çdo inovacion në veçanti dhe përparimi në përgjithësi. Por mbi të gjitha, zhvillimi i AI-së po përfiton nga arroganca në rritje e njeriut, nga vetëbesimi i tij se ai është në kontroll, ai është zot i Tokës, i makinës dhe i vetvetes. Është e kotë të përmendim këtu se sa qesharake janë këto shpallje por do jetë mirë të përqëndrohemi në rreziqet që e presin përpara njeriun. AI ka mbërthyer imagjinatën e një brezi të tërë, i cili sot llomotit si papagall se “AI është e ardhmja,” pa e vrarë aspak mendjen për implikimet e tmerrshme për vetë njeriun që kjo profeci mund të sjellë, nëse del e vërtetë.

Premtimi i AI-së: makina do mendojë për njeriun

Deri dje, makina punonte për njeriun. Premtimi i AI-së është se, sot e tutje, makina do mendojë për njeriun. Aplikacione të AI-së në jurisprudencë tregojnë se AI është e aftë të ndërtojë argumente juridike dhe të vendosë për çështje civile si pronësi dhe divorce. Evidencë nga aplikacione AI në mjekësi tregojnë për saktësinë diagnostifikuese të AI-së.

Një robot i OpenAI-së mundi keqas lojtarin më të mirë të videolojës DOTA 2 dhe ne tashmë mësuam se robotë kanë mundur pokeristë profesionistë dhe kampionin botëror të shahut Garri Kasparov. Ne enthuziasmohemi lehtë nga magjia e AI-së, por harrojmë të pyesim për çmimin e këtyre zhvillimeve. Ç’do ndodhë me njeriun nëse makina do mendojë për të? Këto 300 vitet e fundit, ne jemi mësuar ta shpallim agensinë tonë me aforizmën iluministe “cogito ergo sum” [mendoj, prandaj ekzistoj]. A do të ekzistojmë më ne nëse aftësinë dhe praktikën tonë të të menduarit ia dorëzojmë makinës?

Për të gjithë ata që mendojnë se këto shqetësime janë të parsyeshme apo se njeriu do vazhdojë ta kontrollojë makinën, e kam një lajm të keq: kësaj rradhe është ndryshe. Deri tani, makina zbatonte komandat tona; tani makina po mëson. Kjo do ta aftësojë atë që t’i shmanget kontrollit tonë dhe, eventualisht, të na kundërvihet.

Adhurimi i makinës, magjepsja me aftësitë e saj dhe ëndrra që ajo do çojë në një rend shoqëror superior dhe të fundit është shumë e ngjashme me utopitë politike që u ndërtuan teorikisht gjatë Shekullit XIX dhe u përpoqën tragjikisht të materializoheshin gjatë Shekullit XX. Në ndryshim prej tyre, utopia AI mundet të jetë edhe utopia e fundit dhe fatale për krejt njerëzimin.

Buirimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button