Pjesëmarrja e grave në politikë

Në Maqedoninë e Veriut , pjesëmarrja e gruas në proceset vendimmarrëse në përgjithësi dhe në politikë në veçanti, mbetet në nivele shumë të ulëta në krahasim me vendet e tjera të Europës Lindore e Qendrore.

Pjesëmarrja në politikë përfshinë aktivitete në shumë  sfera si votimi në zgjedhje,  angazhimi në fushata zgjedhore, anëtarësia aktive në parti politike dhe shoqata lobuese, kontaktimi i politikanëve, dalja në protesta dhe tubime tjera publike, nënshkrimi i peticioneve, bojkotimi i produkteve të caktuara, etj.

Pjesëmarrja politike e grave është një parakusht themelorë për barazinë gjinore dhe demokracinë e vërtetë.  Të kesh më shumë gra në udhëheqjen politike sjell përparim në fushat e politikave që janë jetike për rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Ne e dimë se lidershipi politik i grave rezulton me rezultate të mira për gratë dhe vajzat, si dhe për të gjithë shoqërinë.

Megjithatë, përqindja e ulët e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje nuk përkon me përqindjen e grave në shoqëri. Nga niveli lokal deri në nivel kombëtar, gratë janë të nënpërfaqësuara në shumicën e posteve udhëheqëse, qofshin ato poste të zgjedhura, të shërbimit civil apo dhe të sektorit privat.

Pavarësisht të drejtave të grave për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në qeverisjen demokratike, shoqëria jonë vazhdon ende ti jep më pak fuqi dhe mundësi të kufizuar për të marrë vendime dhe nisma me rëndësi të veçanta në shoqëri.

Partitë politike, të ndodhura ndoshta përpara trysnisë së opinionit të vetë grave, kanë arritur të deklarojnë publikisht, sidomos në prag fushatash, përqindje pjesëmarrjeje të detyrueshme të grave në politikë dhe vendimmarrje

Në shumë raste partitë politike, gratë i promovojnë vetëm në kohën kur kanë zgjedhje. Pra, partitë politike nuk mund dhe nuk duhet t’i përdorin gratë për fasadën e fushatave elektorale dhe për këtë zëri i grave dhe vajzave duhet të dëgjohet më shumë dhe të kundërshtojnë këtë lloj sjellje të partive politike ndaj tyre. Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit tone dhe duhet ti  gëzojnë të drejtat e njëjta natyrale të përfaqësimit në politikë dhe vendimmarrje ashtu si burrat.

E vërteta është që pjesëmarrja dhe roli i grave në politik dhe në pozitat vendimmarrëse kontribuon në forcimin institucional dhe në zhvillimin e demokracisë. Për më tepër, besohet se gratë ndikojnë në zhvillimin e politikave që përfshijnë një qasje më të barabartë gjinore; ato mund të bëjnë shumë punë njëkohësisht, janë kreative dhe shpesh më pak të korruptuara kur mbajnë pozita të vendimmarrjes. Në përgjithësi, konsiderohet se gratë kanë aftësi të shkëlqyera udhëheqëse dhe pranojnë se gratë duhet të jenë më të pandashme në kërkimin e të drejtave të tyre dhe avancimin e rolit të tyre në proceset e vendimmarrjes në vend.

Përfundimisht të gjithë aktoret relevant brenda shoqërisë në vendin tonë duhet të punojnë për barazinë gjinore si çështje strategjike e që përmes saj duhet të bëjnë të pamundurën që gratë të jenë jo vetëm pjesëmarrëse, por edhe të kenë rol e ndikim të madh në të gjitha instancat publike të politikës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button