56 udhëtarë ende në kërkim pas aksidentit hekurudhor në Greqi, është urdhëruar hetim gjithpërfshirës

Pesëdhjetë e gjashtë pasagjerë rezultojnë të zhdukur pas një aksidenti të rëndë treni në Greqi, ku sipas informacioneve të fundit të konfirmuara kanë humbur jetën 57 persona, kryesisht të rinj. Operacioni i shpëtimit po zhvillohet në kushte të vështira dhe tashmë përpjekjet janë përqendruar në vagonin e tretë të trenit të pasagjerëve, i cili pothuajse është përmbysur plotësisht, transmeton Portalb.mk.

Prokurori i Gjykatës së Lartë Isidoros Dogiakos urdhëroi prokurorinë e Larisës të zgjerojë hetimin në të gjitha drejtimet, me qëllim identifikimin e të gjithë përgjegjësve për aksidentin më vdekjeprurës hekurudhor në historinë greke.

“Kushdo qofshin ata, ngado që janë, kujtdo që i përkasin, këdo që përfaqësojnë. Hetimi patjetër të fokusohet si në gabimet në sistemet e sigurisë ashtu edhe në vendimet e gabuara të personelit”, tha Dogiakos.

Deri më tani është arrestuar vetëm 59-vjeçari udhëheqës i stacionit hekurudhor në Larisa, i cili doli dje në gjykatë dhe u akuzua zyrtarisht për pengim të rrezikshëm të qarkullimit, por pritet të përballet edhe me akuza të tjera. Televizioni grek Star raportoi se ai e dinte se në cilën hekurudhë ishte treni i mallrave 17 minuta përpara se të përplasej kokë më kokë me trenin e pasagjerëve, siç u informua nga mjeshtri i stacionit në Neoi Poroy. Mediat greke thonë se biseda është regjistruar.

Mijëra persona protestuan dje edhe në Athinë, të cilët para parlamentit dhe selisë së Hekurudhave Greke thanë se “ky krim nuk duhet harruar”. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka pranuar se rrjeti hekurudhor i vendit është me probleme dhe se përpjekjet për ta riparuar atë kanë dështuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button