Raporti i DASH për terrorizmin: Problemi kryesor i RMV-së në vitin 2021 ishte kthimi i luftëtarëve të huaj nga Siria dhe Iraku

Sipas Komitetit Nacional për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, rreth 143 qytetarë të Maqedonisë së Veriut (me përjashtim të fëmijëve) në këto disa vitet e fundit kanë udhëtuar për në Siri, Irak ose drejt të dyja vendeve për t’iu bashkuar grupeve terroriste, thekson Departamenti i Shtetit në raport, transmeton Portalb.mk.

Pa asnjë sulm terrorist në vitin 2021 dhe pa raportime për largime të luftëtarëve me qëllim për t’iu bashkuar ISIS-it, problemi kryesor antiterrorist me të cilin u përball Maqedonia e Veriut në vitin 2021 ishte kthimi i luftëtarëve të huaj nga Siria dhe Iraku duke pasur parasysh aftësinë e këtyre individëve për të krijuar celula të dhunshme ekstremiste, për të planifikuar sulme dhe për të radikalizuar persona të tjerë, thuhet në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit për Terrorizmin në botë në vitin 2021.

Sipas Komitetit Nacional për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, në vitet e fundit rreth 143 qytetarë të Maqedonisë së Veriut (me përjashtim të fëmijëve) kanë udhëtuar për në Siri, Irak ose të dyja vendet për t’iu bashkuar grupeve terroriste. Nga këta, 133 persona janë burra, dhjetë gra, 38 janë vrarë, 79 janë kthyer, pesë besohet se kanë mbetur në Siri dhe dy janë në burg në një kamp refugjatësh. Ndërkohë 16 persona janë riatdhesuar, 11 burra dhe 5 gra, ndërsa 3 janë deportuar nga vende të tjera.

Autoritetet kanë vlerësuar se niveli i kërcënimit terrorist është “mesatarisht i lartë” ose mesatar për shkak të pranisë në vend të anëtarëve dhe simpatizantëve të ISIS-it.

Në korrik 2021, qeveria ka riatdhesuar katër luftëtarë të huaj terroristë dhe 19 anëtarë të familjeve të tyre.

Në Raport thuhet se korniza ligjore e Maqedonisë së Veriut është adekuate për ndjekjen penale të personave të dyshuar për kryerjen ose ndihmësën në aktivitete terroriste ose për pjesëmarrje në ushtri të huaja. Ligji për dënimet lidhur me këto vepra mbetet një sfidë, por në krahasim me vitet e mëparshme është përmirësuar dhe dënimet me burg janë përgjithësisht më të gjata se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka siguruar mentorim dhe trajnim me gjetje në terren për prokurorët dhe hetuesit.

Maqedonia e Veriut është gjithashtu pjesë e institucioneve për luftimin e terrorizmit financiar, siç është organi rajonal “Moneywal”. Është miratuar një ligj i ri për ndalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit për zbatimin e Direktivës V (2018/843) dhe harmonizimin me legjislacionin e BE-së.

Në vitin 2021, Zyra e Inteligjencës Financiare e Maqedonisë së Veriut ka pranuar pesë raporte nga bankat për shkak të dyshimit të bazuar për financim të terroristëve dhe në këtë drejtim ka dorëzuar 11 raporte te shërbimet kompetente.

Maqedonia e Veriut është gjithashtu e përfshirë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe në vitin 2021 ka vazhduar bashkëpunimin me vende të tjera nga Ballkani Perëndimor për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe ka marrë pjesë në disa projekte lidhur me këtë çështje.

Qeveria ka zbatuar projekte për ndërtimin e kapaciteteve të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Holanda, Norvegjia dhe të tjerët, dhe këto përpjekje do ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të përgatitet për kryesimin e OSBE-së në vitin 2023, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.

Problem i njëjtë është theksuar edhe në raportin për vitin 2019 dhe 2020.

“Problemi kryesor në luftën kundër terrorizmit në vend është kthimi i luftëtarëve terroristë në shtëpi. Legjislacioni i Maqedonisë së Veriut është adekuat për ndjekjen penale të personave të dyshuar për kryerje ose ndihmë për aktivitete terroriste ose pjesëmarrje në konflikte të huaja, por sfidë janë dënimet e ulëta për veprat e lidhura me terrorizmin”, thuhet në raportin për vitin 2020.

“Kërcënimi kryesor terrorist për Maqedoninë e Veriut janë “luftëtarët e huaj terrorist që janë kthyer nga Siria dhe Iraku. Autoritetet në Maqedoninë e Veriut vlerësojnë se në vend ka prezencë të anëtarëve dhe simpatizues të ISIS”, thuhet në raportin e DASH për vitin 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button