Shtëpia e Bardhë: nuk ka vend për panik; objektet e rrëzuara nuk janë jashtëtokësore

Më pak se një javë pasi Shtetet e Bashkuara goditën dhe rrëzuan atë që zyrtarët e quajtën një balonë spiune kineze, avionët ushtarakë amerikanë rrëzuan edhe tre objekte të tjera me prejardhje të paditur.

Zyrtarët kinezë thonë se nuk munden të thonë nëse objektet e reja të rrëzuara i përkasin Kinës, por thonë se Shtetet e Bashkuara po veprojnë me reagim të tepruar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell njofton se ndërsa Uashingtoni është në kërkim të përgjigjeve, një gjë është tashmë e qartë: Marrëdhëniet Kinë-SHBA janë dëmtuar.

Ka shumë pikëpyetje për tre objektet e paidentifikuar fluturues që avionët ushtarakë amerikanë rrëzuan brenda pak ditëve. Një gjë Shtëpia e Bardhë mundet ta thotë me siguri:

“Nuk ka asnjë tregues për aktivitet jashtëtokësor gjatë këtyre rrëzimeve të fundit. Donim të siguroheshim se populli amerikan është në dijeni të kësaj, se ju të gjithë e dini këtë; është e rëndësishme që ta thonim”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Shtëpia e Bardhë ofroi një teori se përse ushtria po dikton më shumë nga këto mjete fluturuese: sepse këto janë objektet për të cilat po gjurmon.

“Nëse i përshtat parametrat për të parë për diçka të caktuar, ka më shumë gjasa që do ta gjeni këtë gjë të caktuar”, tha John Kirby, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Të premten, më pak se një javë pas rrëzimit të balonës kineze pranë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara, avionët ushtarakë amerikanë rrëzuan një objekt të paidentifikuar që fluturonte mbi Alaska. Të shtunën, Shtetet e Bashkuara bashkëpunuan me ushtrinë kanadeze për të rrëzuar një tjetër objekt mbi territorin Yukon. Dhe të dielën, një objekt i tretë u rrëzua mbi Liqenin Huron.

Njerëzit nuk duhet të kenë panik, tha  Kirby.

“Nuk mendojmë se këto objektet më të fundit përbënin ndonjë rrezik për njerëzit në tokë, dhe jemi përqëndruar tek konfirmimi i natyrës dhe qëllimit të tyre”, tha Kirby.

Por ndërsa vazhdojnë kërkimet për gjetjen e së vërtetës, Kina po reagon me zemërim për atë që e quan ndëshkim të padrejtë nga Shtetet e Bashkuara ndaj balonës së motit që pati dalë nga kursi dhe përshkoi të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button