Avionët amerikanë rrëzuan 4 objekte të paidentifikuara në 8 ditë

Një avion luftarak amerikan rrëzoi një “objekt të paidentifikuar” mbi liqenin Huron të dielën me urdhër të presidentit Joe Biden. Ky ishte rasti i katërt brenda tetë ditësh dhe reagimi i fundit ushtarak në një situatë të jashtëzakonshme episodesh të tilla të njëpasnjëshme në hapësirën ajrore të SHBA-së. Zyrtarët e Pentagonit besojnë se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në kohë paqeje, raporton VOA.

Një nga arsyet për goditjen e objekteve ishte balona e përgjimit nga Kina që përshkoi hapësirën ajrore të SHBA-së në fund të janarit, tha në një konferencë me gazetarët gjenerali Glen VanHerck, kreu i Komandës Veriore të SHBA-së.

Që nga rrëzimi i balonës më 4 shkurt, avionët luftarakë kanë goditur objekte mbi Kanada dhe Alaskë. Zyrtarët e Pentagonit thanë se këto objekte nuk përbënin kërcënime për sigurinë, por dihej aq pak për to, saqë zyrtarët e Pentagonit nuk përjashtonin asgjë, madje as UFO-t.

“Ne filluam ta shqyrtojmë më nga afër hapësirën tonë ajrore në këto lartësi, përfshirë përmirësimin e radarit tonë, gjë që mund të shpjegojë të paktën pjesërisht pse i kemi vërejtur këto objekte më shpesh”, tha Melissa Dalton, ndihmës sekretare e mbrojtjes.

Autoritetet amerikane e kanë bërë të qartë se monitorojnë vazhdimisht për gabime të radarëve dhe nuk është e pazakontë të mbyllet hapësira ajrore si masë paraprake për t’i vlerësuar ato. Por ky reagim i pazakontë po ngre pyetje nëse një përdorim i tillë i forcës ishte i arsyeshëm, veçanërisht pasi zyrtarët e administratës thanë se objektet nuk përbënin një shqetësim të madh për sigurinë kombëtare dhe rrëzimet e tyre u bën thjesht për të qenë të kujdesshëm.

“Unë besoj se kjo është hera e parë brenda hapësirës ajrore të Shteteve të Bashkuara ose asaj të Amerikës Veriore që NORAD ose Komanda Veriore e Shteteve të Bashkuara kanë ndërmarrë veprime ushtarake kundër një objekti në hapësirën ajrore”, tha gjenerali VanHerck.

Zyrtarët e Pentagonit thanë se ata ende po përpiqeshin të përcaktonin se çfarë janë saktësisht objektet dhe thanë se kanë vendosur të përdorin armët e avionëve në vend të raketave, por kjo rezultoi shumë e vështirë. Ata thanë se ka dallim të madh midis tre objekteve të rrëzuara gjatë kësaj fundjave dhe balonës nga Kina.

Shumë amerikanë janë magjepsur nga drama që po zhvillohet në qiell teksa avionët luftarakë përpiqen të rrëzojnë objekte.

Objekti i fundit i rrëzuar u zbulua për herë të parë të shtunën në mbrëmje mbi Montana, por fillimisht u mendua se ishte një anomali. Radari e kapi sërish të dielën duke u fluturuar mbi Gadishullin e Sipërm të Miçiganit dhe po kalonte mbi liqenin Huron, thanë të dielën zyrtarët e Pentagonit.

Sipas një zyrtari të lartë të administratës, objekti ishte tetëkëndor, me tela të varur, por nuk kishte ngarkesë të dallueshme. Ai po fluturonte ulët në rreth 6100 metra tha zyrtari që foli për Associated Press në kushte anonimiteti.

Zyrtarët amerikanë ende po përpiqen të identifikojnë me saktësi dy objekte të tjera të rrëzuara nga avionët luftarakë F-22 dhe po punonin për të përcaktuar nëse Kina ishte përgjegjëse, ndërsa shqetësimet u përshkallëzuan për atë që Uashingtoni tha se ishte programi çdo herë e më i gjerë i vëzhgimit ajror të Pekinit.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer i tha programit “This Week” të televizionit amerikan ABC se zyrtarët amerikanë po punonin shpejt për të mbledhur mbeturinat e objekteve pas rrëzimit.

“Deri para disa muajsh ne nuk dinim gjë për këto balona”, tha zoti Schumer, për programin e spiunazhit që administrata amerikane e ka lidhur me ushtrinë e Kinës. “Është e jashtëzakonshme që ne nuk dinim gjë”.

Ministria e Jashtme e Kinës e ka përshkruar balonën e parë pa pilot si një mjet fluturimi meteorologjik civil që kishte dalë nga kursi. Pekini tha se vendimi amerikan për ta rrëzuar ishte “reaguar i tepruar”.

Rastet kanë rritur tensionet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, kanë ngritur pikëpyetje rreth shtrirjes së mbikëqyrjes së Pekinit ndaj SHBA-së dhe kanë nxitur kritika nga ligjvënësit republikanë për reagimin e administrates Biden.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button