Një gotë donacion nga Ministria e Mjedisit për Komunën e Tetovës, këshilltarët e pranuan me shaka

Këshilli i Komunës së Tetovës sot pranoi donacion nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor një epruvetë laboratorike e cila më pas duhet t’i bartet shkollës së mesme të mjekësisë “Nikolla Shtenj”. Edhe pse këshilltarët e morën me shaka këtë donacion duke thënë se “po do ua sillnim një servis” apo “më shumë kanë kushtuar letrat e printimit”, nga Ministria e Mjedisit për Portalb.mk tregojnë arsyet e këtij donacioni.

Nazmi Dauti nga sektori për veprimtari publike sqaroi se donacioni është një gotë laboratorike e qelqit prej 250 mililitra, njësi me çmim prej 177 denarë nga ana e Ministrisë së Mjedisit.

“Do duhet si procedurë që patjetër të kalohet, ta pranojë këshilli komunal si themelues i shkollave dhe më pas obligohemi që kryetari i komunës të nënshkruaj kontratë me personin përgjegjës të ministrisë dhe më pas komuna të ja jep shkollës së mesme medicinale “Nikolla Shtenji”, është procedurë që patjetër duhet ta kalojmë në këshillin komunal”, tha Dauti.

Kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi para këshilltarëve tregoi gotën e dhënë nga ministria.

Me 26 vota për dhe dy kundër, këshilli pranoi këtë donacion.

“Na qoftë përhajr epruveta, e përdorshim për shëndosh”, tha Durmishi ku me këtë përfundoi edhe seanca e sotme e këshillit.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Portalb sqaruan se shkolla e mesme e mjekësisë në Tetovë “Nikolla Shtenj” është e përfshirë në programin GLOBE që nga viti 2010 dhe donacioni është në kuadër të kësaj.

“Në kuadër të programit zbatohen disa protokolle për të cilat shkolla ka marrë materialet e nevojshme për punë nëpërmjet furnizimeve të mëparshme. Këtë vit atyre iu mungonte vetëm një gotë laboratorike qelqi për të punuar në protokollet e hidrologjikës, kështu që vetëm ajo u dhurua. Furnizimi në vitin 2022 për të gjitha shkollat ​​nga Maqedonia e Veriut të përfshira në programin GLOBE është bërë sipas nevojave të shkollave dhe që Ministria të dhurojë pajisjet është dashur të respektojë procedurën me donacion për komunën, e cila më pas do t’ua dorëzojë pajisjet shkollave përkatëse”, thanë nga Ministria e Mjedisit.

Përndryshe, programi GLOBE – Mësimi dhe Vëzhgimi Global në dobi të mjedisit, është program mbarë botëror shkencor dhe arsimor që koordinon punën e nxënësve dhe mësuesve për të studiuar dhe kuptuar gjendjen e mjedisit. GLOBE është rrjet mbarë botëror i nxënësve. Programi GLOBE u iniciua në vitin 1994 . Ndërsa në vend ky program arriti në vitin 1998. Për shkak të fushave të përfshira në Program, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është përzgjedhur si institucion koordinues. Programi zbatohet në koordinim me Ministrinë e Arsimit, Byronë për Zhvillimin e Arsimit, Korpusin e Paqes të Maqedonisë dhe shkollat ​​e përfshira.

Pjesën e pranimit të donacionit mund ta ndiqni në minutën 3:37:50 në videon më poshtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button