Kosovë, 24 vjet nga Masakra e Reçakut që tronditi botën dhe nxiti reagimin ndërkombëtar
Njëra ndër masakrat më të rënda të luftës së Kosovës të 1998-99 që tronditi botën, ajo e 15 janarit të vitit 1999 në Reçak të Komunës së Shtimes, ka mbushur 24 vjet, por ende vetëm një person është shpallur fajtor për pjesëmarrje në kryerjen e saj nga gjykatësit e Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, raporton Anadolu Agency (AA).
Mëngjesi i 15 janarit të vitit 1999 për banorët e fshatit Reçak të Komunës së Shtimes zbardhi të rrethuar nga formacionet policore serbe, njësitet ushtarake dhe paramilitare me mjete motorike të rënda të luftës.
Në orën 6 e 45 minuta të mëngjesit, shumica e banorëve të fshatit u zgjuan nga zhurma e artilerisë së rëndë serbe e cila filloi ta granatojë fshatin nga pozicione të ndryshme.
Pas një serie granatimesh, pjesëtarët serbë fillojnë bastisjet shtëpi-për-shtëpi, ku banorët e këtij fshati tentojnë të ikin, por ata tashmë ishin rrethuar. 24 burra të renditur në rresht derisa po ecnin bashkërisht nën përcjelljen e trupave serbe, të nxjerrë nga njëra prej shtëpive të fshatit ku po fshiheshin, ekzekutohen me automatikë nga afër dhe masakrohen tek lokacioni i njohur si “Gropa e Bebushit”.
Gjithsej 45 civilë shqiptarë civilë u vranë dhe masakruan të njëjtën ditë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, gra dhe pleq, nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në lokacione të ndryshme.
Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadori William Wallker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur.
Pasi vizitoi fshatin dhe u ngjit lartë te vendi i quajtur “Gropa e Bebushit”, aty ku sot gjendet Kompleksi Memorial i Reçakut, ambasadori Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi: “Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”. Kjo, u bë një nga momentet më me peshë që ndryshoi përfundimisht rrjedhën historike të Kosovës.
– I mbijetuari Aziz Beqiri atë ditë u tha fëmijëve: “Shkoni nga t’jua jep Zoti, me të tjerët”
I mbijetuari i Masakrës së Reçakut, Aziz Beqiri, nga fshati Reçak, i cili në atë kohë ishte 48 vjeç, kujton se 15 janari 1999 ishte muaji i shenjtë i Ramazanit dhe saktësisht Nata e Kadrit, apo pak ditë para festës së Bajramit. Beqiri tha për Anadolu Agency (AA) se për dy net nuk ka mundur të bëjë sy gjumë pas 15 janarit, duke ndihmuar dhe për shkak të gjendjes së rënduar emocionale pasi ka parë viktimat.
Ai thotë se mëngjesi i 15 janarit e zuri atë në shtëpinë e tij, me fëmijët e tij, ndërsa u kishte thënë fëmijëve “shkoni nga t’jua jep Zoti, me të tjerët”, kur dëgjoi krismat e para dhe vetë doli në mal për të parë mundësitë që të ndihmojë në shpëtimin e ndonjë jete, kurse më vonë u mor edhe me regjistrimin e të vrarave dhe masakruarve.
“Kur i kam parë viktimat, ka pasur të prerë, me zemër të nxjerrë, me plumba ‘dum-dum’ të cilat të shkatërrojnë ngase shpërthejnë për herë të dytë në trup. Në mesin e të vrarëve dhe masakruarve ka pasur edhe fëmijë, pleq dhe gra. Një grua ka qenë në oborr, asaj ia kanë vrarë burrin dhe dy kunetërit. Ajo pastaj ka shkuar pas burrit dhe kunetërve, mirëpo nuk ka mundur t’i takojë ata dhe është përballur me pritën e ngritur të armiqve dhe e kanë likuiduar. Ka qenë plakë, jo e re, dhe për të gjitha i kemi marrë shënimet”, theksoi Beqiri.
Pas tragjedisë së 15 janarit në fshat, Beqiri bashkë me një grup vullnetarësh është marrë me tubimin e kufomave. Me t’i tubuar trupat e të vrarëve dhe masakruarve në xhaminë e Reçakut me qëllim që të varroseshin më 17 janar, ato ishin bërë përsëri cak i trupave serbe, të cilat donin t’i merrnin ato me dhunë, por ushtarë të Ushtrisë Çlrimitare të Kosovës (UÇK) nga rrethina ishin bashkuar për ta pamundësuar një gjë të tillë duke zhvilluar luftime në fshat, derisa kufomat kishin mbetur pa u varrosur.
“Me 17 janar kanë luftuar për t’i marrë kufomat, nuk kanë mundur dhe janë kthyer prapa, të nesërmen kanë ardhur përsëri por prapë nuk kanë mundur t’i marrin, ndërsa të pasnesërmit i morën. Atë ditë u vra edhe komandanti i brigadës se kishin ardhur ushtarë nga të gjitha anët për t’i mbrojtur kufomat dhe të mos i lëshojnë”, thekson Beqiri.
Beqiri thotë se më pas kufomat pas ekzaminimeve që u janë bërë në Prishtinë, u kthyen në fshat më 12 shkurt, ndërsa u varrosën në prani të forcave serbe.
Beqiri, i cili tani është 71 vjeç, tha se nga luftimet në Reçak ka humbur djalin e vëllait dhe katër kushërinj.
– Për Masakrën e Reçakut, ish-ambasadori OSBE-së në Kosovë, William Walker, po e shkruan librin me titullin “Reçaku”
Së fundmi, Qeveria e Kosovës ndau 70 mijë euro për botimin e librit “Reçaku”, të cilën po e shkruan ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker,
Walker po e shkruan këtë libër mbi përvojën e tij personale si dëshmitar i kësaj masakre, siç është shprehur ai, “para se të shkojë në botën tjetër”.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) dënoi masakrën ndaj shqiptarëve të Kosovës në Reçak dhe rreth dy muaj më vonë NATO filloi bombardimet ndaj Serbisë.
Menjëherë pas luftës, në vitin 2001, gjykatësit e UNMIK-ut, Misionit të OKB-së në Kosovë, dënuan oficerin e policisë Zoran Stojanoviq me minimum 15 vjet burg për pjesëmarrje në vrasjen e 45 personave në fshatin Reçak. Ai ende mbetet i dënuari i vetëm për këtë masakër.