Irani dënoi me vdekje një banor të Luksemburgut
Ministria e Jashtme e Luksemburgut tha se një qytetar i saj është dënuar me vdekje në Iran, transmeton REL.
Një zëdhënës i kësaj ministrie konfirmoi këtë lajm për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, edhe pse nuk pranoi që të identifikojë personin e dënuar.
Ky person është përshkruar si banor i Luksemburgut, me prejardhje iraniane, por që nuk ka shtetësi të Luksemburgut. Ende është e paqartë se për çfarë akuzash është gjetur fajtor i dënuari, në kohën kur Irani është përfshirë nga një valë protestash pas vdekjes së një gruaje të re në paraburgim.
Vdekja e Mahsa Aminit, që u arrestua nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së shamisë së kokës, ka nxitur protesta mbarëkombëtare në Iran, transmeton REL.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha se duke pasuar parasysh qëndrimin e Luksemburgut sa i përket dënimit me vdekje, ministri i Jashtëm, Jean Asselborn, ka kontaktuar homologun e tij iranian dhe e ka pyetur se pse ky person është dënuar me vdekje.
Qeveria e Iranit dhe as ajo e Luksemburgut nuk kanë dhënë detaje lidhur me këtë bisedë të dy kryediplomatëve.
Luksemburgu, së bashku me shtetet e Bashkimit Evropian, ka mbështetur publikisht protestuesit iranianë.
Afër 15 ligjvënës në Luksemburg, sikurse edhe ata të Gjermanisë, Austrisë, Francës, Suedisë dhe shteteve të tjera evropiane, kanë pranuar të sponsorizojnë politikisht të burgosurit politikë, që janë arrestuar së fundi në Iran.
Sponsorizimi politik i protestuesve iranianë është një përpjekje për të shpëtuar jetën e tyre, pasi ata rrezikohen që të ekzekutohen pas arrestimit të tyre gjatë protestave.
Shtetet perëndimore kanë kritikuar vazhdimisht Iranin se po tenton të arrestojë persona me shtetësi të dyfishtë dhe shtetas të huaj dhe t’i mbajë si pengje, për t’i përdorur më pas ata gjatë këmbimit të të burgosurve.
Gjatë protestave aktuale, forcat e sigurisë së Iranit kanë arrestuar afër 40 shtetas të huaj dhe autoritetet në Republikën Islamike nuk kanë bërë të ditur se në bazë të çfarë akuzash ata do të përballen.