Bullgaria tërhoqi 12 “pasaporta të arta”
Bullgaria ka tërhequr 12 pasaporta të arta dhe po zhvillohet procedura për pesë të tjera, tha Ministri i Drejtësisë Krum Zarkov për Agjencinë bullgare Telegraf pas një takimi të mbyllur të Grupit të monitorimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të Parlamentit Evropian të enjten në Bruksel.
Ministri shpjegoi se Bullgaria ka lëshuar mbi 120 pasaporta të tilla për investime. Skema e diskutueshme u hoq kohët e fundit për shkak të kritikave nga Komisioni Evropian dhe disa parregullsive të zbuluara në dhënien e shtetësisë për investitorët e pasur të vendeve të treta, transmeton Euractiv.
Aktualisht, Agjencia Shtetërore për Sigurinë Kombëtare (SANS) po kontrollon secilën nga pasaportat e lëshuara, por nuk është dhënë asnjë informacion se kujt i është hequr pasaporta dhe pse.
Në verën e vitit 2021, Yanaki Stoilov, ministri në detyrë i drejtësisë, i kaloi SANS-it një numër dosjesh të pasaportave të arta. Në fillim të këtij viti, Nadezhda Yordanova, pasardhësja e tij në qeverinë e Kiril Petkovit, shpjegoi se SANS gjeti pesë raste të shkeljeve të rënda në marrjen e nënshtetësisë bullgare dhe hetimi është në vazhdim.
Stoilov raportoi 47 raste të dyshimta në SANS.
“Ministria e Drejtësisë ka treguar se kur vijnë të dhëna mjaft të qarta, ne nuk hezitojmë fare t’i dërgojmë propozim presidentit për heqjen e shtetësisë”, komentoi Zarkov të enjten.
Ai shtoi se pasi ndryshimet ligjore u miratuan në parlamentin paraprak, Malta dhe Qiproja kishin skema të ngjashme, por kjo e fundit i pezulloi së fundmi për shqetësime korrupsioni. Vetëm Malta vazhdon dhe si pasojë po përballet me procese gjyqësore nga BE.
Kujtojmë se disa nga bankierët kryesorë të Rusisë morën “pasaporta të arta” bullgare, pavarësisht se nuk kishte prova që ata do të bënin investime reale në shtetin anëtar më të varfër të BE-së.
Shtetësia e Bullgarisë sipas skemës paraprake të investimeve që u jepte nënshtetësinë dhe një pasaportë të BE-së shtetasve të pasur të vendeve të treta ishte nën kontroll të shtuar në nivel lokal dhe në nivel të BE-së për shkak të frikës nga pastrimi i parave dhe krimet e tjera financiare. Në Maltë – shtet me një skemë të ngjashme – janë ngritur gjithashtu shqetësime se kriminelëve dhe personave të përfshirë në përvetësim, mashtrim dhe pastrim parash po u jepen pasaporta pa kontrolle dhe ekuilibra të duhur, raporton Euractiv.com.
Në Bullgari, rusët që morën të drejtën e lëvizjes së lirë në të gjithë BE-në nga shteti bullgar përfshijnë Dmitry Kushaev – drejtor i zyrës Credit Suisse në Moskë, Roman Nagaev – ish-drejtor i bankingut investues në bankën ruse VTB Capital dhe Igor Finogenov, ish-drejtor i Bankës Euroaziatike për Zhvillim, raporton faqja investigative Bird.bg
Një nga kriteret për të marrë nënshtetësinë bullgare sipas skemës që tashmë është hequr, është investimi në ekonomi nëpërmjet pronave, biznesit ose depozitave bankare.
Kushaev, Nagaev dhe Finogenov nuk zotërobnin prona, as nuk menaxhonin dhe as zotëronin kompani në Bullgari. Kjo do të thotë se ata nuk kishin investuar në ekonominë reale, por me gjasë kishin blerë letra me vlerë të qeverisë bullgare, gjegjësisht borxh qeverisë. Opsioni tjetër i parashikuar nga ligji i shtetësisë bullgare ishte të bëni depozitë në para në një bankë bullgare, por një hetim zbuloi se shumë aplikantë merrnin kredi për të bërë depozitën.
Mundësia e marrjes së shtetësisë bullgare në këmbim të investimeve ekzistonte që nga viti 2013, por nuk çoi në ndonjë investim të prekshëm. I tillë është rasti me tre bankierët rusë.
Igor Finogenov ishte kryetar i bordit të Bankës Euroaziatike për Zhvillim nga viti 2006 deri në vitin 2015, duke qenë paraprakisht asistent i ministrit të financave të Rusisë dhe bankier në banka të tjera, raporton Bird.bg.
Finogenov mori pasaportën e tij bullgare dhe u bë shtetas bullgar më 4 qershor 2020. Dmitry Kushaev u bë shef ekzekutiv i Credit Suisse Moscow në vitin 2016, dhe në vitin 2021 u rizgjodh si anëtar i bordit të drejtorëve të bankës. Kur mori pasaportën bullgare, ishte punonjës i Swiss bankësnë Rusi. Kushaev u bë shtetas bullgar më 12 mars 2021.
Roman Nagaev është i diplomuar në Universitetin e Harvardit dhe ish-drejtor i investimeve në Bankën Kapitale VTB të Rusisë. Pas karrierës së tij në VTB, Nagaev u emërua në bordin e drejtorëve të PIK Group, një kompani udhëheqëse e ndërtimit në Rusi, në të cilën VTB Capital Bank është aksioner.
Pasi Qiproja i dha fund skemës së saj të parave për pasaporta në vitin 2020, pas akuzave të përhapura për korrupsion që përfshinin zyrtarë qeveritarë, skemën e hoqi edhe Bullgaria, ndërsa Malta e vetmja anëtare e BE-së me një program të tillë në fuqi. Komisioni Evropian ka qenë i qartë se skema të tilla janë të papranueshme, megjithatë qeveria malteze ka vazhduar pa ndërprerë.
Planet për të hequr skemën e Bullgarisë janë në tavolinë prej disa vitesh dhemë në fund tani janë bërë realitet.