Si të mbrohet gjuha jonë e shenjtë?
Bota njeh shekuj e shekuj jetë. Vite e vite civilizim, përkrah të cilave njeriu gjithmonë ka ecur me shenjat e tij identifikuese. Kur theksojmë këtë të fundit vëmendjen kryesore e kemi te gjërat që ai i ka parësore dhe me to para vetes, botës e të tjerëve mund të dalë pa frikë dhe me një siguri të brendshme për t’i qëndruar besnik gjakut, gjuhës, tokës, historisë, traditës, letërsisë, folklorit etj. Pra, janë një mori e madhe gjërash që neve na identifikojnë si komb, por mbi të gjitha qëndron gjaku, si faktor biologjik dhe gjuha shqipe, me të cilën tejkalohet ndarja në toskë ose gegë, i krishterë ose mysliman, qytetar apo malësor, i shkolluar ose jo, por thjesht duke thënë se kam gjak shqiptari dhe flas një gjuhë të lashtë e të shenjtë shqipe. Këta dy faktorë janë thelbësorët në identifikimin tonë, por meqë duhet të ndalemi vetëm në çështjen se si të mbrohet shqipja si e shenjtë dhe si ajo nga të gjithë kërkon një përkujdes të veçantë, po e japim edhe një pasqyrim të shkurtër të zanafillës së saj.
Asnjëherë nuk do të ndiheshim të plotësuar sikur ta flisnim vetëm gjuhën shqipe dhe të mos dinim qoftë edhe pak nga historia e saj. Studiues të shumtë, gjuhëtarë shqiptarë ose të huaj atë e shohin edhe sot e kësaj dite si bijë të ilirishtes e me shenja të veçanta pellazgjishte, duke formuar një grup më vete në familjen indoevropiane me karakteristika të saj gjuhësore. Përpos që shqiptarët me këtë gjuhë kanë komunikuar me njëri-tjetrin, njëherë me të kanë filluar ta shkruajnë edhe letërsinë, në fillim me një gegërishte, e më pas me një standard të përbashkët. Pra, ne letërsinë nuk e identifikojmë vetëm me zhanre, tema, ide, personazhe, motive apo figuracione stilistike, por e identifikojmë edhe me gjuhën, si pjesë e pandashme e një vepre letrare në të cilën autori shpreh subjektivitetin ose objektivitetin.
Nga njohuritë tona të marra në fushë të letërsisë, dimë se vëmendja kryesore për mbrojtjen, pastrimin, pasurimin me shprehje të reja e kuptimplote dhe ngritjen e saj në piedestal u paraqit në periudhën e Romantizmit Shqiptar, periudhën në të cilën jo vetëm që vendi duhej të çlirohej nga armiku me trimat që model kishin Skënderbeun dhe bëmat e tij në të ashtuquajturin Motin e Madh – shekulli XV, por, njëherë çlirim duhej të kishte edhe gjuha shqipe. Këtë e nisën njerëz dhe shkrimtarë si: De Rada, Gavril Dara i Riu, vëllezërit Frashëri, Vretoja, Serembe, Pashko Vasa, Kristoforidhi e Veqilharxhi, për t’u vazhduar më vonë edhe nga njerëz të tjerë, ose autorë të periudhave të mëvonshme shqipe, të cilët qëllim kryesor kishin që gjuhën ta paraqisnin si të shenjtë, e me të duke qenë e tillë, ta krijonin edhe letërsinë e mirëfilltë. Por, lind pyetja: si u mbrojt dhe ç’është ajo që ne duhet të bëjmë për ta vënë mbi të si kurorë epitetin e shenjtë?
Mënyra më e mirë për mbrojtjen e gjuhës është shkrimi i drejtë i saj, jo vetëm në veprat letrare por edhe në të gjitha shkrimet që bëjnë njerëzit, sepse shqipja vetëm në këtë mënyrë do të ketë një jetëgjatësi. Për këtë gjë u munduan njerëz të shumtë, herë në situata kur armiku mundohej ta fshinte atë që populli ynë e kishte të ruajtur me fanatizëm, e herë në rastet kur të tjerët shqipen e shihnin si të pa denjë dhe të pa zonja për t’u paraqitur në vepra letrare, meqë e shihnin vetëm brenda një mjedisi të ngushtë komunikimi njerëzor. Vlera dhe vjetërsia që ka ajo është dëshmuar nga të gjithë studiuesit e mirëfilltë dhe kjo gjë nuk mund të mohohet nga askush. E vetmja gjë që ne duhet ta bëjmë është ta mbrojmë atë, si në formë të shkruar, ashtu edhe në formë gojore, ngase ajo është pasuria më e madhe që kemi. Atë nuk na e falën askush tjetër, e në këtë rast të shumtë janë ata që duan ta marrin e ta varfërojnë. Por, duhet ditur vetëm një gjë: atë që shqiptari e ka në gjak, nuk ia merr dot askush.