Shqiptarët në Maqedoni, me sy nga Shqipëria, çfarë të presin?

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë ndjekur me vëmendje të madhe në opinionin publik shqiptar në Maqedoni.  Madje, nga një pjesë e opinionit të këtushëm, gara zgjedhore në Shqipëri, është përjetuar sikur të ndodhte këtu.

Kështu, krahas rezultatit në qendër të vëmendjes së këtij opinioni ishte edhe rrjedha e procesit zgjedhor, sidomos pas konflikteve të orëve të para të votimit, kur në një incident në Laç u vra një aktivist  i LSI-së së Ilir Metës , kurse u plagos një kandidat i Partisë Demokratike, të Sali Berishës. 

Nazim Rashidi dhe Ismail Sinani, njohës të mirë të rrethanave politike në Shqipëri komentuan për Portalb  rrjedhën e zgjedhjeve parlamentare dhe  atë që mund të presin shqiptarët në Maqedoni, nga njëra ose pala tjetër, pas këtyre zgjedhjeve.

“Ajo që tani ka një rëndësi të veçantë, është numërimi i saktë i votave dhe pranimi i rezultateve nga ana e dy blloqeve. Rezultatet preliminare nxjerrin fitues bllokun e majtë ndaj bazuar në këto të dhëna, i bie që Partia Socialiste të formojë qeverinë e ardhshme të Shqipërisë.Në këtë frymë është e natyrshme që tek shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë, të lindin dilema se si do të sillet me ta Tirana zyrtare.” , thekson Ismail Sinani.

 Ai shton  se personalisht ka bindjen se edhe ekzekutivi i ri do ta vazhdojë politikën e deritanishme të Qeverisë ‘Berisha’. Por paralelisht kësaj, kreu socialist  patjetër do të duhet ta përmirësojë imazhin e tij në sytë e shqiptarëve që nuk janë shtetas të Shqipërisë. Pra, duhet t’i bindë të gjithë se prioritet në bashkëpunimin rajonal është Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe jo Greqia apo ndonjë vend tjetër.
 
“Në këtë rrugëtim, ai duhet të jetë më i vëmendshëm me dhënien e mirënjohjeve apo “çelësave”, siç ishte rasti me nacionalistin serb Goran Bregoviqin. Madje, do të ishte gjest shumë burrëror prej tij po qe se shqiptarëve u kërkonte falje për këtë gabim të bërë para disa vitesh. Natyrisht do të duhet të punojë shumë për lidhjet infrastrukturore me shqiptarët e Maqedonisë, sidomos duhet ta mbajë gjallë idenë për ndërtimin dhe finalizimin e Rrugës së Arbrit, e cila megjithatë është filluar nga Sali Berisha. Po ashtu nuk duhet ta harrojë edhe çështjen e shtetësisë për shqiptarët e Maqedonisë sepse një ide e tillë i tejkalon kufijtë dhe planet e një qeverie apo qeverisjeje”, thotë Ismaili.
 
Ndërkaq për Nazim Rashidin, zgjedhjet në Shqipëri duhen parë në disa dimensione.

“E para është se shqiptarët po japin mesazhin se politikanët nuk janë të përhershëm. Aq më i madh vjen ky mesazh, kur në Maqedoni mendohej se do të fitojnë te djathtët. Kur e them këtë ende, nuk ka mbaruar procesi, por tendenca është e tillë. Njerëzit në Shqipëri shprehen se janë të lodhur nga arroganca, presionet dhe korrupsioni. Duke marre parasysh ndikimet që vijnë nga Shqipëria këto janë mesazhe të forta për gjithë politikanët, por edhe njerëzit, sepse do të inkurajojnë reagime me te hapura”, thotë Rashidi.

Ai vlerëson se  Elementi i tretë është konceptual. Gara ishte me bazë ideologjike dhe kjo mund të sjellë një prurje të tille edhe në politikën në përgjithësi. Gara mes Ramës dhe Berishës ishte dhe një garë mes modernes dhe tradicionales.  Shoqëria shqiptare po tregon se po bën kthesë të madhe që lidhet dhe me faktin se popullsia shqiptare është më e re.

“Në fund shqiptarët do të respektojnë votën e vellezërve të tyre në Shqipëri, e cila do të duhet t’i mësojë se duhet të komunikojnë më shumë mes njeri-tjetrit, sepse imazhet që vijnë jashtë Shqipërisë jo domosdoshmërisht  janë realet, me të cilat përballen njerëzit ne Shqiperi. Përgjithësisht, nëse procesi përfundon me pranim rezultati do të fillojë një fazë e re për shqiptarët, si në politikbërje ashtu edhe në aspektin shoqëror dhe kultural.Në fund po jepen mesazhe se shoqëria shqiptare nuk pranon me autoritarizëm, por qeverisje me përgjegjshmëri dhe moderne, sipas modeleve perëndimore.”, thotë Rashidi ./PORTALB

Lajme të ngjashme

Back to top button