ASh: Të dënohet publikimi i Ambasadës ruse, shkelet Kushtetuta dhe nxiten tensione
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj një postimi në Twitter të bërë dje nga Ambasada Ruse në Maqedoninë e Veriut, në të cilin përmes simboleve thuhet se Kosova është e Serbisë dhe Krimeja e Rusisë. Kjo parti kërkon nga ministri i Jashtëm të kërkojë llogari nga ambasadori rus në vend, shkruan Portalb.mk.
“Aleanca për Shqiptarët dënon provokimin e fundit të Ambasadës ruse në Shkup në twitter, me çka është shkelur rëndë Kushtetuta e vendit e cila Kosovën e njeh si shtet të pavarur dhe sovran. Maqedonia e Veriut gjithashtu është e rreshtuar qartë përkrah Perëndimit në dënimin e agresionit rus ndaj Kievit dhe në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrainës”, thuhet në reagimin e ASh-së.
Nga ASh kërkojnë që ministri Bujar Osmani që të thërret ambasadorin rus për shpjegime dhe për të protestuar ndaj intervenimeve të tilla brutale nga ana e Rusisë.
“Maqedonia e Veriut si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk guxon të lejojë ndikime të tilla malinje nga një ambasadë e akredituar në Shkup”, deklaruan nga ASh.
Sipas tyre, heshtja ndaj provokimeve të këtilla mund të kuptohet si legjitimim i zgjerimit të agjendës ruse në Ballkan, e cila bashkë me politikën luftënxitëse të Serbisë karshi Republikës së Kosovës, janë rrezikim direkt i paqes dhe sigurisë në rajon si dhe sabotim i i perspektivës evropiane të Ballkanit perëndimor.
Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës. Kjo nga nxitur reagime të shumta të serbëve në Kosovë, si protesta dhe dorëheqje nga institucione të ndryshme.
- LEXO: Shqetësime në BE për mundësinë që tensionet në Kosovë të barten në rajon
- LEXO: Zyrtarët serbë në veri të Kosovës vazhdojnë dorëheqjet e tyre në institucione
- LEXO: Mbi 100 zyrtarë policorë serbë kanë dorëzuar dorëheqjet me shkrim
- LEXO: Protesë nga serbët në veri të Kosovës, shkaku targat (Foto)
- LEXO: Kosovë, dhanë dorëheqje kryetarët e komunave veriore
- LEXO: Reagimet pas vendimit të serbëve për braktisje të institucioneve të Kosovës