U arrit marrëveshje për lëvizje të lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe njohje reciproke të diplomave dhe kualifikimeve profesionale

Ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor sot në Berlin arritën marrëveshje për lëvizje të lirë pa letërnjoftime mes këtyre vendeve si  dhe për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, duke hedhur një hap drejt anëtarësimit në BE, transmeton Portalb.mk.

“Këto tre marrëveshje hapin rrugën për krijimit të një tregu të përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor”, tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

“Duke krijuar këtë treg, ju po bëni një hap të rëndësishëm përpara në procesin e anëtarësimit në BE”, tha Baerbock para takimit të përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Berlin.

Ajo shtoi se, marrëveshja do të nënshkruhet formalisht në Samitin e Ballkanit Perëndimor në nëntor.

Ministrja gjermane tha se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ka qenë prioritet i qeverisë gjermane, në mënyrë që të sigurohet stabiliteti dhe progresi ekonomik në rajon.

“Ju bëj thirrje gjithë juve që të përshpejtoni reformat tuaja në interes të qytetarëve tuaj”, u tha ajo ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit të mbledhur në Berlin.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor po ashtu, do të nënshkruajnë marrëveshje për njohjen reciproe të diplomave universitare, tha sekretarja gjenerale e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu.

“Studentët tani duhet të paguajnë prej 300 deri në 500 euro vetë përnjohje e diplomave. Me këtë marrëveshje, ajo kosto do të jetë zero”, tha Bregu para takimit në Berlin.

Kujtojmë se, samiti i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt më 5 korrik të vitit 2021, nën udhëheqjen e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE, proces ky i filluar në 2014, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button