Rusia paralajmëroi Amerikën për rrezikun e konfliktit direkt

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të dërguar më shumë ndihmë ushtarake në Ukrainë “rrit rrezikun e përleshjes së drejtpërdrejtë ushtarake”, në mes të Rusisë dhe Perëndimit, ka paralajmëruar Moska, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, ka thënë se ekziston “kërcënim” për Moskën, duke i përshkruar Shtetet e Bashkuara si “pjesëmarrëse në konflikt”.

“Ne i bëjmë thirrje Uashingtonit që të ndalë veprimet provokative që mund të çojnë në pasojat më serioze”, ka thënë ambasadori rus.

Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë edhe 625 milionë dollarë si ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Armët e avancuara amerikane është thënë se kanë ndihmuar Ukrainën që të krijojë momentumin kundër forcave pushtuese ruse.

Trupat ushtarake ukrainase kanë bërë përparime të rëndësishme në verilindje dhe jug të shtetit, në javët e fundit.

Në kuadër të ndihmës së fundit amerikane janë përfshirë edhe sistemet raketore, HIMARS.

Në total, Uashingtoni ka ndarë gati 17 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Kievin, prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.

Pas përballjes me humbje të konsiderueshme në fushëbeteje, në javët e fundit, Rusia është zotuar se do ta mbrojë veten me të gjitha mjetet e mundshme – duke mos përjashtuar armët bërthamore.

Sot, Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar edhe zyrtarisht dokumentet për aneksim të katër rajoneve ukrainase, Donjek, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja. Rajone këto që kontrollohen pjesërisht nga forcat ruse, prej shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë në fund të muajit shkurt.

Vendimi i Putinit për aneksim të territoreve është konsideruar shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se Uashingtoni “nuk do t’i njohë kurrë territoret e Ukrainës, si diçka tjetër përveç si Ukrainë”.

Kujtojmë që Ukraina ka paraqitur zyrtarisht kërkesën e saj për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s të premten e kaluar (30 shtator).

Sekretari i përgjthshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në lidhje me aplikimin e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO,  deklaroi se “çdo vendim për anëtarësimin duhet të merret me konsensus dhe të 30 aleatët duhet të bien dakord për të marrë një vendim të tillë”.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell lidhur me kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO ka thënë se “Nuk është një çështje themelore për momentin”.

Presidentët e vendeve anëtare të NATO-s të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë dalë me një deklaratë të përbashkët mbi përpjekjet ruse për të aneksuar ilegalisht territoret e Ukrainës, pjesë e kësaj deklarate është edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.

Po të njëjtën ditë, Presidenti rus, Vlladimir Putin,  shpalli aneksimin e katër rajoneve ukrainase, Donetsk, Luhansk, Herson dhe Zaporizhija, në të cilat u mbajtën referendume, të cilat Perëndimi i quajti të manipuluara. Nëse Rusia anekson katër rajonet ukrainase, Putin mund ta paraqesë çdo përpjekje ukrainase për të rimarrë këto rajone, si sulm ndaj vetë Rusisë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button