Letërnjoftimi elektronik në Maqedoninë e Veriut, u diskutua sot në Këshillin për transformimin digjital
Në Këshillin Kombëtar për Transformimin Digjital të Shoqërisë sot u diskutua për përvojën e Estonisë në përpilimin e letërnjoftimit elektronik në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut u organizua takimi i parë joformal i Këshillit Kombëtar për digjitalizim dhe e-shërbime, takim i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Sllavica Grkovska.
“Përvoja estoneze për letërnjoftimin elektronik u prezantuan në takimin e parë joformal të Këshillit Kombëtar për transformimin digjital të shoqërisë”, deklaroi Grkovska.
Në takim mori pjesë edhe ekipi i Qendrës Estoneze për Zhvillim Ndërkombëtar, ekip i cili punon për digjitalizim dhe e-shërbime. Ky ekip prezantoi përvojën e Estonisë në shfrytëzimin e letërnjoftimit digjital.
“Në takim zv.kryeministrja Grkovska informoi për proceset aktuale dhe përgatitjen për futjen e letërnjoftimit elektronik, si mjet bazë që duhet të sigurojë transformimin digjital të shoqërisë. I njoftoi anëtarët e Këshillit edhe me procedurën për sjelljen e një ligji të për punën e arkivave, si dhe me aktivitetet që i ka marrë Qeveria për futjen e institucioneve në Platformën për Ndërveprim”, sqarojnë nga Qeveria.