BDI optimiste për zgjidhjen e emrit deri në shtator

BDI është ende optimiste se çështja e emrit mund të zgjidhet deri në samitin e shtatorit. Zëdhënësi i partisë, Bujar Osmani madje e cilëson hipotetike deklaratën e ish ministrit të jashtëm Antonio Milloshoski, se zgjidhja nuk mund të arrihet deri në Samitin e NATO-s. Përkundrazi për Osmanin periudha aktuale post-zgjedhore është ideale për angazhimin e faktorit ndërkombëtar për t’u ulur palët në tryezën e negociatave,transmeton Alsat. 

 “Ne mbesim optimist se duhet shfrytëzuar kjo periudhë të cilën ne e konsiderojmë si ideale me qëllim që palët të ulen dhe gjejnë një zgjidhje me qëllim që në Samitin e NATO të marrin ftesën për anëtarësim… Rol të rëndësishëm tani duhet të luaj pala e tretë, në këtë kontekst faktori ndërkombëtar për t’i ftuar krerët shtetëror të dy shteteve, për t’i ulur në tavolinë dhe për të futur presion deri në gjetjen e një kompromisi të përbashkët”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Nga ana tjetër, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare i cilësojnë si lojëra politike deklaratat e tilla të dy partive në pushtet VMRO dhe BDI. Ata thonë se as Shkupi dhe as Athina nuk po shfaqin vullnet për kapërcimin e problemin e emrit.  

“Këto deklarata janë të destinuara për trupat votues respektiv. VMRO të thotë se ka presion nga BDI-ja, me qëllim që të mund të mbrojë të drejtat e etnosit maqedonas; ndërkaq BDI-ja të thotë se nuk pajtohen me qëndrimet e VMRO-së me qëllim që të dëshmojnë se mbron interesat e shqiptarëve. Por kjo është vetëm lojë që synon të mbajë tensione në opinion, ndërsa VMRO dhe BDI të sigurojnë mbështetjen e elektoratit të tyre në baza nacionaliste”, tha Zdravko Saveski, analist.

“Partia maqedonase VMRO, nuk tregon ndonjë gatishmëri, seriozitet të madh për zgjidhjen e kontestit me Greqinë. Gjithmonë thirret në vendimin e GJND-së, në faktin se nuk duhet të preket identiteti. Nga ana tjetër BDI tregon një interes më të madh për zgjidhjen e kontestit. Por duhet ta dimë se për zgjidhjen e kontestit duhet një konsensus ndërmjet partive politike“, u shpreh Bekim Kadriu, analist. 

Ish ministri i Jashtëm Antonio Milloshoski, në kohën kur kanë mbetur edhe 3 muaj deri në Samitin e NATO-s në Kardif, tha se koha është shumë e shkurtër për të arritur zgjidhje. Nga ana tjetër Milloshoski pranoi se rreth kësaj çështjeje ka dallime të mëdha me BDI-në, pasi partia shqiptare më shumë është e shqetësuar për kornizën kohore se sa për cilësinë e zgjidhjes.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. PALLAVRA SI PERHER!? CDOHERE GJEJNE NGA NJE JUSTIFIKIM PER VEPRIMET E TYRE TRADHTARE DHE MANIPULATIVE. UNE NUK MUND TA KUPTOJ SE SI U SHKOJN NDERMEND LLOJ LLOJ IDEJA AKROBATIKE!!!?

Back to top button