Ukraina fajsoi Rusisë për problemet me rrymën

Rajone të mëdha në lindje të Ukrainës kanë mbetur pa rrymë më 11 shtator, derisa Kievi ka akuzuar Moskën se po ia sulmon infrastrukturën e energjisë, transmeton REL.

Probleme me rrymë dhe ujë janë raportuar në Harkiv, Sumi, Poltava, Zaporizhja dhe rajonet e Dnjipropetrovskut, duke çrregulluar jetët e miliona njerëzve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia është duke ia sulmuar infrastrukturën për “t’i lënë njerëzit pa drita dhe ngrohje”.

Këto probleme vijnë në kohën e kundërsulmit të forcave ukrainase në rajonin e Harkivit, të cilat kanë marrë kontrollin e dhjetëra qytezave dhe fshatrave.

Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, ka pretenduar se Rusia e ka sulmuar termocentralin e qytetit.

Harkivi është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë.

Dmytro Reznichenko, udhëheqës i Dnjipropetrovskut, ka akuzuar po ashtu Rusinë për problemet me rrymë.

Udhëheqësi i rajonit lindor Sumi, ka thënë se problemet me rrymë dhe ujë kanë prekur të paktën 135 qyteza dhe fshatra.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button