RMV, Rregullatori kërkoi që BEG të tërheqë faturat e ngrohjes për gusht, të cilat u rritën me 40 për qind

Faturat e ngrohjes të gushtit, të cilat i ka dërguar Balkan Energy Group (BEG) u shkaktuan dhimbje koke qytetarëve, për shkak të rritjes së madhe – me rreth 40 për qind – të shumës që duhet të paguajnë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Tashmë dy ditë ata reagojnë ndaj rritjes, kështu që për shembull ato amvisëri që në prill dhe maj kanë marrë fatura për ngrohje prej 1.410 denarë, në gusht kanë pranuar për 1.932 denarë. Ata që në pranverë kanë pasur fatura prej 2.970 denarë, në gusht kanë pranuar faturë për 4.380 denarë.

Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRRESHU) Marko Bislimovski sot mbajti konferencë për media, me rastin e faturave të lëshuara për muajin gusht nga BEG. Ai tha se në dy ditët e fundit kanë pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarët e Shkupit, të cilët thonë se faturat për energjisë termike janë rritur për rreth 40 për qind.

Komisioni rregullator ka kërkuar nga BEG që të anulojë të gjitha faturat, për muajin gusht, të cilat u janë dërguar konsumatorëve dhe të përgatisë faturat e reja, në të cilat do të llogaritet edhe subvencioni që qytetarët e pranojnë nga qeveria. Bislimovski shton se arsyeja e vetme e rritjes së faturave të gushtit nga BEG është se nuk është përfshirë subvencioni që qeveria e jep për konsumatorët e energjisë termike në Shkup.

“Janë siguruar mjete në buxhetin e shtetit, sikurse që ka vendim i cili tashmë është marrë, do të merret edhe vendim i ri që do të konfirmojë se konsumatorët e Energjisë termike në Shkup do të pranojnë subvencione”, tha Bislimovski dhe shtoi se është i pazakontë fakti që BEG i ka dërguar faturat më 30 dhe 31 gusht, edhe pse muaji gusht nuk ka përfunduar ende.

Nga Ministria e Ekonomisë, për Meta.mk, lidhur me pyetjet për rritjen e faturave të ngrohjes për muajin gusht për rreth 40 për qind kanë thënë se përgjigjet duhet të kërkohen në Komisionin Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujërave.

Balkan Energy Group për momentin nuk ka dalë me deklaratë për faturat e ngrohjes së gushtit në Shkup, ndërsa Meta.mk u ka dërguar pyetje edhe atyre, por nuk kemi marrë përgjigje. Në një bisedë telefonike me operatorët nga qendra kontaktuese BEG, Meta.mk ka marrë informacion se qeveria nuk ka marrë vendim për subvencionimin e faturave të ngrohjes dhe për këtë arsye, faturat e gushtit janë rritur për 40 për qind.

Qendra e kontaktit në BEG u përgjigj se nëse merret vendimi për subvencionim, atëherë mjetet e arkëtuara do të zbriten nga llogaritë e barazimit për muajin e 5-të, të 6-të dhe të 7-të të vitit të ardhshëm.

Përgjigje të ngjashme ka dhënë sot edhe kryetari i KRRESHU, Bislimovski, i cili në konferencën për media shtoi se qytetarët, të cilët tashmë e kanë paguar faturën për ngrohje të gushtit të BEG-së, që është rritur për 40 për qind, në faturat e ardhshme – pavarësisht se kush do të kryejë aktivitetin – do t’u kthehen paratë.

Ndryshe, Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit në fund të korrikut ka vendosur që nga 1 gushti i këtij viti çmimi i ngrohjes të rritet për 14,18 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button