Forcat Demokratike Siriane thonë se objektivi i operacionit është pastrimi i kampit nga operativët e Shtetit Islamik, që dyshohet se janë përgjegjës për rritjen e nivelit të dhunës brenda kampit al-Hol.
Kombet e Bashkuara thonë se deri më tani këtë vit, të paktën 26 persona janë vrarë në kampin, në të cilin po strehohen rreth 56,000 njerëz. Zyrtarët ushtarakë vendas thonë se kjo fushatë duhej të fillonte më herët, por mundësia e një ofensive turke në rajon i detyroi ata të prisnin.
“Ne e nisëm këtë fushatë sepse është detyra jonë etike dhe morale të çlirojmë civilët nga grupet që veprojnë brenda kampit al-Hol”, thotë zëdhënësi i forcave kurde, Ali Hasan.
Katër ditë pas fillimit të fushatës, zyrtarët kurdë thonë se kanë arrestuar më shumë se 75 persona të dyshuar si anëtarë të Shtetit Islamik brenda kampit, kanë konfiskuar një numër të konsiderueshëm armësh dhe kanë zbuluar disa tunele të gërmuara nga anëtarët e grupit terrorist.
Koalicioni global kundër Shtetit Islamik, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara thotë se po ndihmon forcat lokale në përpjekjet e tyre të vazhdueshme kundër terrorizmit. Zyrtarët kurdë të Njësisë së Mbrojtjes së Popullit thonë se kjo mbështetje është thelbësore.
“Ne jemi koordinuar me koalicionin global në fazën e parë të planifikimit të kësaj fushate. E njëjta gjë po ndodh edhe në fazën e dytë, në kuadër të së cilës po realizohet fushata aktuale. Përmes një qendre koordinimi dhe planifikimi, koalicioni global ka mbështetur Forcat Demokratike Siriane dhe forcat lokale të sigurisë në kryerjen e kësaj fushate”, thotë Siyamend Ali, zëdhënës i Njësisë kurde të Mbrojtjes së Popullit.
Autoritetet lokale thonë se sigurimi i kampit është një pjesë e rëndësishme e misionit për të mposhtur militantët e Shtetit Islamik në vend dhe më gjerë.