Liderët botërorë përmes një marrëveshjeje do të përpiqen të shpëtojnë oqeanet nga mbishfrytëzimi 

Liderët botërorë do të takohen këtë muaj në Kombet e Bashkuara (OKB) në Nju Jork për të diskutuar shpëtimin e oqeaneve të botës nga mbishfrytëzimi. Traktati i OKB-së për detin e hapur ka kaluar nëpër dhjetë vjet negociata dhe ende nuk është nënshkruar, raporton BBC.

Nëse arrihet marrëveshje, 30 për qind e oqeaneve botërore do t’i shtohen rrjetit të zonave të mbrojtura detare deri në vitin 2030. Aktivistët shpresojnë se kjo do të mbrojë jetën detare nga mbipeshkimi dhe aktivitetet e tjera njerëzore.

Dy të tretat e oqeaneve botërore konsiderohen aktualisht ujëra ndërkombëtare, që do të thotë se të gjitha vendet kanë të drejtë të peshkojnë, lundrojnë dhe eksplorojnë atje. Në të njëjtën kohë, vetëm 1.2 për qind e këtyre deteve të hapura janë të mbrojtura. Me këtë, jeta detare që jeton atje vihet në rrezik shfrytëzimi nga kërcënimet në rritje të ndryshimeve klimatike, mbipeshkimi dhe trafiku detar.

Për shkak se ekosistemet e detit të hapur janë të dokumentuara dobët, ekziston shqetësimi midis aktivistëve se krijesat mund të zhduken para se të zbulohen.

Me nënshkrimin e marrëveshjes, pjesë të oqeaneve të botës do të hyjnë në rrjetin e zonave të mbrojtura detare. Kështu, përpara se të vazhdojnë aktivitetet tregtare si minierat e thella në det, do të kryhen vlerësime të ndikimit në mjedisin jetësor.

“BBC” shkruan se vetëm që nga muaji mars i këtij viti, Drejtoria ndërkombëtare e shtratit të detit, që rregullon këto aktivitete, ka lidhur 31 kontrata për kërkimin e thellësive detare për minerale.

Vendet njëkohësisht kërkojnë që marrëveshja të përfshijë masa që do t’u jepnin vendeve në zhvillim dhe atyre pa dalje në det akses të barabartë në burimet gjenetike detare – material biologjik nga bimët dhe kafshët në oqean që mund të përfitojnë shoqëritë përmes farmaceutikëve, produkteve, proceseve industriale dhe ushqimit.

Kombet kanë vendosur një afat deri në fund të vitit për të nënshkruar marrëveshjen.

Ndryshe, sot edhe Fondi botëror për natyrën u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së që të bien dakord për marrëveshje ambicioze, detyruese globale për mbrojtjen e jetës detare.

“Deti i hapur është mishërimi i tragjedisë së të thjeshtëve. Për shkak se ato dete nuk i përkisnin askujt, u trajtuan në mënyrë të pamatur dhe pa u ndëshkuar. Na nevojitet mekanizëm të përbashkët të qeverisjes së oqeanit për të siguruar që ‘ujërat e askujt’ të bëhen ‘ujërat e të gjithëve’ dhe përgjegjësia e të gjithëve”, tha Marco Lambertini, Drejtor i përgjithshëm i fondit botëror për natyrën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button