Putini i shkroi Kim Jongun-it dhe i premtoi se Rusia do të zgjerojë marrëdhëniet me Korenë e Veriut
Vladimir Putin është zotuar se Rusia do të zgjerojë marrëdhëniet e saj dypalëshe “gjithëpërfshirëse dhe konstruktive” me Korenë e Veriut. Në një letër drejtuar liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, Putin shkroi se një gjë e tillë do të ishte në interes të të dy vendeve, transmeton Portalb.mk.
“Miqësia mes dy vendeve u krijua në Luftën e Dytë Botërore me fitoren ndaj Japonisë. Miqësia jonë do të rritet edhe më shumë. Bashkëpunimi strategjik dhe taktik, mbështetja dhe solidariteti midis dy vendeve janë ngritur në një nivel të ri, më të lartë, në një front të përbashkët për të frenuar kërcënimet ushtarake dhe provokimet nga forcat armike”, u përgjigj Kim.
Bashkimi Sovjetik dikur ishte një aleat kryesor i Koresë së Veriut dhe Rusia filloi ta rindërtonte atë marrëdhënie pasi u distancua gradualisht nga Perëndimi në vitet 2000. Në korrik, Koreja e Veriut u bë një nga disa vende që njohu pavarësinë e republikave të vetëshpallura Popullore të Donetskut dhe Luhanskut. Në të njëjtën kohë, Ukraina ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Phenianin.