Parlamenti i Letonisë zyrtarisht e përcaktoi Rusinë si “shtet sponsor i terrorizmit”
Parlamenti i Letonisë e përcaktoi zyrtarisht Rusinë si “shtet sponsor i terrorizmit”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Parlamenti letonez, “Saeima”, u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian (BE) që të kufizojnë hyrjen dhe lëshimin e vizave turistike për qytetarët rusë dhe bjellorusë, bëri të ditur transmetuesi publik letonez LSM.
“Saeima thekson se Rusia përdor vuajtjen dhe frikësimin si një instrument në përpjekjet e saj për të demoralizuar popullin ukrainas dhe forcat e armatosura”, thuhet në njoftimin e parlamentit letonez.
“Saeima e njeh dhunën e Rusisë kundër civilëve, e cila po vazhdon për qëllime politike, si terrorizëm, dhe Rusinë si një vend që mbështet terrorizmin, dhe u bën thirrje vendeve të tjera me mendim të ngjashëm të shprehin një mendim të tillë”, thuhet në deklaratën e cituar nga LSM.
“Parlamentarët dënojnë kategorikisht agresionin ushtarak dhe pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës me mbështetjen dhe angazhimin e regjimit bjellorus”, thuhet gjithashtu në deklaratë.
Parlamenti gjithashtu i bëri thirrje “Komunitetit Euro-Atlantik dhe partnerëve të tij që urgjentisht të vendosin dhe të shtojnë sanksionet gjithëpërfshirëse kundër Rusisë, duke përfshirë thirrjen drejtuar vendeve anëtare të BE-së për pezullim të menjëhershëm të turizmit dhe kufizimin e vizave të hyrjes për qytetarët e Federatës Ruse dhe Bjellorusisë”.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 5.401 civilë janë vrarë dhe 7.466 janë plagosur që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë më 24 shkurt. Numri i vërtetë besohet të jetë shumë më i lartë.