Dhuna kibernetike mes të rinjve: Edhe pse ndodh në botën virtuale, ajo katalizohet në botën në të cilën jetojmë
Ngacmimi kibernetik është ende “në hije” sepse është digjital dhe shpesh i padukshëm. Duke mos ditur si ta trajtojmë, shumë shpesh dhe lehtësisht shndërrohet në dhunë kibernetike dhe merr përmasa post-traumatike. Me këto fjalë psikologeja dhe psikoterapistja e akredituar në nivel evropian në “Psikoterapika”, Radmilla Zhivanoviq, e përcakton procesin e ngacmimit onlajn, si një nga shkaqet kryesore të çrregullimeve të shëndetit mendor tek të rinjtë në vend, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Ndikimi i bullizmit kibernetik tek të rinjtë në botën kibernetike ‘botë ireale’
Bazuar në karakterin individual, varësisht nga profilit individual i personit të ri në botën reale dhe virtuale, shqetësimi që shfaqet në internet tek individë të ndryshëm ka ndikim të ndryshëm.
“Te ndonjë ekspozim i caktuar i papërshtatshëm në internet nuk shkakton të njëjtin shqetësim te ndonjë i ri tjetër. Nga ana tjetër, ngacmimi kibernetik mund të ketë ose edhe jo bazë në realitetin e të riut. Nga njëra anë mund të intensifikojë shqetësimin që ka ekzistuar, nga ana tjetër për ata që nuk janë aq të gatshëm të ngacmojnë në mjedis fizik, e gjejnë internetin si një mjet të përshtatshëm për ngacmim”, thekson Zhivanoviq.
Mediat sociale, hapësira ku të rinjtë e sotëm e kalojnë pjesën më të madhe të kohës, lejojnë mundësi për të krijuar përmbajtje fyese që ndonjëherë mund të drejtohen nga një person tjetrit për t’i shkaktuar lëndime këtij të dytit.
Edhe pse është vendosur në internet ku me një klikim praktikisht nuk ekziston, siç thotë Zhivanoviq, ky lloj i përmbajtjes e pasqyron, katalizon dhe sublimon realitetin në të cilin jetojnë të rinjtë.
Krahas krijimit të qëllimshëm të përmbajtjeve fyese, shpesh në botën digjitale ndodh që përmbajtjet që i përkasin një pale të tretë të shfaqen dhe të publikohen nga dikush tjetër pa lejen e krijuesit, si dhe të ndahen të dhëna mes personave të caktuar në kurriz të shakasë së dikujt tjetër, që konsiderohet gjithashtu një formë e ngacmimit onlajn.
“Një shaka apo një fyerje e vërtetë qëndron në qëllimin e atij që e krijon. Nga ana tjetër, se çfarë efekti do të ketë tek ne varet nga ndjeshmëria, ndjenja e kompetencës, përvoja, forca dhe mbështetja jonë për të adresuar atë që ndonjëherë mund të na argëtojë e ndonjëherë të na shqetësojë. Është shumë e rëndësishme të mendojmë për personin tjetër kur dërgojmë një informacion të caktuar nëpërmjet rrjetit, ndonjëherë është e nevojshme të kërkojmë leje, si dhe të kontrollojmë e madje edhe të kërkojmë leje për të artikuluar disa aspekte që nuk janë tonat, por kanë të bëjnë me tjetrin”, thotë Zhivanoviq.
Masat parandaluese para dhe besimi i të rinjve se ku të drejtohen pasi kanë përjetuar dhunën në internet
Sipas psikologes Zhivanoviq, para së gjithash, çdo i ri duhet t’i raportojë përmbajtjen shqetësuese dikujt që ka besim. Është veçanërisht e rëndësishme që ai të mos hasë në dënim nga njerëzit të cilëve ai vendos t’u besojë.
Megjithatë, para se të mendojë për të kërkuar ndihmë, Zhivanoviq beson se së pari duhet të dihet të dallojë një situatë që të rinjtë mund ta zgjidhin vetë dhe një situatë në të cilën nevojitet një i rritur i besuar.
Ajo vë në pah se të gjithë të rinjtë dallojnë dhe kjo është arsyeja për të cilën disa të rinj dinë si t’i drejtohen dhe kujt t’i drejtohen për mbrojtje kur të ndodhë, ndërsa të tjerët nuk e dinë këtë, ose siç thotë ajo ndjejnë njëfarë turpi nga vetvetja sepse dikush i ka “shqetësuar” diçka që mesa duket “u ndodh të gjithëve”.
“Nevojiten programe për edukimin e të rinjve që ata të fitojnë aftësi për të njohur dhe trajtuar në mënyrë adekuate ngacmimin kibernetik. Duhen programe edhe për parandalimin dhe reduktimin e vetë ngacmimeve, si dhe krijimin e mekanizmave për zgjidhjen dhe trajtimin e rasteve të denoncuara”, thekson psikologia.
Sistemin në të cilin jetojnë më së shumti të rinjtë, Zhivanoviq e paraqet si një kolektiv në të cilin ekzistojnë norma dhe rregulla të caktuara mes bashkëmoshatarëve që mundësojnë rrjetëzimin. Sipas saj, rrjeti i tillë duhet të forcohet vazhdimisht drejt formimit të një qëndrimi mbështetës si përgjigje ndaj ngacmimeve kibernetike.
“Nuk ka ndër-personalitet në zgjidhjen e çështjeve të caktuara, por kalohet përmes filtrit të miratimit dhe mosmiratimit kolektiv apo të shumicës”, thotë Zhivanoviq dhe shton se interneti nuk ka fuqi të përcaktojë qëllimin e përmbajtjes onlajn, kështu që përcaktimi i mbetet kolektivit të të rinjve.
“Edhe nëse ekziston ngacmim kibernetik, onlajn kolektivi i të rinjve zakonisht përcakton që ai nuk ekziston sepse në të kundërtën do të cenohej “siguria” e supozuar në grup (ai pretendon të mbajë formë të përsosur) dhe i riu do të mbetej me ndjenjën se ai duhet të largohet në vend që kolektivi të ndryshojë”, shpjegon ajo.
Një analizë e kryer nga “Rinia mundet” mbi qasjen e nxënësve të shkollave të mesme në shërbimet për shendet mendor, ku morën pjesë 51 gjimnazistë, tregon se shumica ose 35 për qind e meshkujve dhe femrave, nëse dyshonin për shqetësim në shëndetin e tyre mendor, do t’i drejtoheshin prindit, ndërsa përqindja më e ulët ishte tek ata që deklaruan se do të kërkonin ndihmë profesionale, vetëm 2 për qind.
Në të njëjtën analizë, rezultatet tregojnë se nga të gjitha institucionet ku ofrohet ndihma profesionale, më së paku nga gjimnazistët do t’i drejtoheshin psikologut të shkollës, vetëm 7 për qind e tyre.
Psikoterapistja Zhivanoviq beson se kjo është deri diku praktikë e pritshme për shkak të preokupimit të shërbimeve profesionale me gjëra të tjera, që lë shumë pak kohë për t’iu kushtuar çështjeve që lidhen me shëndetin mendor të të rinjve ose ngacmimet kibernetike si pjesë e shkaqeve të çrregullimit të shëndetit mendor.
“Pra, si gjithmonë, shërbimet profesionale në shkolla kanë shumë pak kohë pune për t’iu kushtuar çështjeve kaq të rëndësishme dhe kjo nuk është për shkakun e tyre, por edhe për shkak të kushtëzimit të sistemit. Për të punuar me çështje të tilla duhet përvojë dhe edukim adekuat në këshillimin e fëmijëve në lidhje me përjetime të tilla traumatike”, thekson Zhivanoviq.
Popullata femërore është objektiv më i madh i ngacmimit kibernetik sesa popullata mashkullore
Rasti i “Dhomës Publike” është një lloj treguesi se vajzat janë vërtet më shumë objektiv i dhunës kibernetike sesa djemtë.
Hulumtimi i “Rinia mundet” tregon një tjetër të dhënë në të cilën vërehet se 37 për qind e femrave të anketuara do të kërkonin ndihmë profesionale pa dijeninë e prindërve nëse dyshonin për çrregullim të shëndetit mendor, krahasuar me 28 për qind të meshkujve që do të bënin të njëjtën.
“Gjithnjë e më shpesh jam dëshmitar i të rinjve që duan t’i “mbrojnë” prindërit nga dhimbja e tyre, sepse edhe të rriturit në shoqërinë tonë vuajnë shumë dhe nuk kanë nevojë për më shumë. Turpi është padyshim i madh, por ai turp është rritur me kalimin e viteve për çështje të ngjashme si kjo”, thotë Zhivanoviq.
Sipas përvojës së saj shumëvjeçare si psikologe, ajo beson se të rinjtë duan të flasin dhe të punojnë në të gjitha temat që janë të rëndësishme për ta. Është e rëndësishme të jenë tema që kanë në përvojën e tyre. Të folurit, siç thekson ai, rrjetëzimi dhe aktivizimi rreth temave të caktuara, kontribuon fuqishëm në pavarësimin dhe fuqizimin e tyre.
Megjithatë, sipas saj, për të biseduar me ta për tema të tilla si ngacmimi kibernetik, dhuna dhe trauma, prindi duhet të ketë aftësitë dhe kapacitetin për të përpunuar gjithçka që fëmija është i gatshëm të thotë pa e demonizuar ngjarjen ose pa e fajësuar fëmijën që i ka ndarë vuajtjet.
“Shpesh të rinjtë dyshojnë në aftësinë e prindërve të tyre për të bërë gjithçka për të mbrojtur fëmijën e tyre. Vetëm mendoni se sa herë e kemi dëgjuar shprehjen ‘për fat të keq nuk mund të bëhet gjë’ ose ‘të gjitha janë kot tani, pasi ka ndodhur nuk ka asgjë për të bërë’, vëren ajo.
Zhivanoviq shton se djemtë, veçanërisht të rinjtë që i përkasin një pakice të caktuar etnike ose gjinore, janë njëlloj subjekt i ngacmimeve kibernetike.
Në vendin tonë, edhe pse është paraqitur një nismë për ndryshimin e Kodit Penal dhe përfshirjen e procesit të përndjekjes onlajn në të si vepër penale dhe e njëjta gjë. ka kaluar në Qeveri, ato ende nuk janë shqyrtuar dhe miratuar në Kuvend.
Mesazhet dhe përmbajtjet e tjera në internet me fyerje që shpesh luajnë një rol në çrregullimet e shëndetit mendor janë një lloj gjurmë gishtash digjitale, por ato ende nuk mund të konsiderohen ligjërisht si dëshmi e dhunës kibernetike.