RMV, revizorët me kritika për zbatimin e masave për zbutjen e ndryshimeve klimatike në vend

Shumë fjalë dhe premtime, por pak realizim në vepër. Enti Shtetëror për Revizion (EShR) me një sërë kritikash ndaj autoriteteve lidhur me zbatimin e masave dhe politikave për zbutjen e ndikimit të ndryshimeve klimatike në vend, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Zhvillimi i kornizës ligjore dhe strategjike për veprim të koordinuar klimatik në vend po bëhet me vonesë prej tre vitesh, ndërsa deri më sot nga Kuvendi i RMV-së nuk është miratuar Ligji për aksion klimatik, edhe pse draft versioni i ligjit tashmë është përgatitur.

“Korniza e vendosur ligjore dhe institucionale në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk i ofron të gjitha kushtet e nevojshme për zbatimin dhe monitorimin efikas dhe efektiv të masave dhe politikave të miratuara për zbutjen e ndryshimeve klimatike, dhe është e nevojshme të ndërmerren veprime në nivel kombëtar dhe lokal,për tejkalimin e situatës”, thuhet në Raportin përfundimtar të revizionit të performancës “Masat dhe politikat e marra nga RMV/autoritetet kompetente për të zbutur ndryshimet klimatike”.

Revizorët u kujtojnë autoriteteve kompetente se janë pranuar detyrimet ndërkombëtare për të reduktuar efektin e ndryshimeve klimatike dhe janë miratuar një numër i madh dokumentesh strategjike, planifikuese dhe programore në nivel kombëtar dhe lokal.

“Aktivitetet e përcaktuara për zbutjen e ndryshimeve klimatike në dokumentet e përmendura nuk janë zbatuar plotësisht dhe nuk monitorohet realizimi i tyre. Komiteti nacional për ndryshime klimatike i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili duhet të ofrojë udhëzime për veprimet e përgjithshme klimatike, si dhe të kontribuojë në integrimin e aktiviteteve në politikat, planet dhe masat sektoriale, është themeluar në vitin 2003, por nuk funksionon në praktikë, gjegjësisht ekzistenca e tij është e natyrës formale”, konsiderojnë revizorët shtetërorë.

Ata kritikojnë edhe se nuk është krijuar sistem për inventarizimin e emetimeve të gazeve serrë, ndërsa Inventari Kombëtar i emetimeve të gazeve serrë është vendosur  nga disa institucione.

“Prandaj, nuk ka një bazë të dhënash të vetme të emetimeve të gazeve serrë në një vend, gjë që e bën të vështirë përdorimin e tyre në përgatitjen e dokumenteve kombëtare strategjike, planifikuese dhe programore për aksion klimatik”, thuhet në raportin e revizionit.

Revizorët kujtojnë se mungon lidhja dhe koordinimi funksional ndërmjet institucioneve në nivel kombëtar dhe lokal gjatë zbatimit të masave dhe aktiviteteve për planifikimin e politikave për zbutjen e ndryshimeve klimatike, si dhe monitorimin e tyre.

“Mungesa e burimeve financiare, kadrovike dhe teknike, si parakusht thelbësor për integrimin e politikave klimatike në të gjithë sektorët, kontribuon më tej në mos arritjen e efekteve të dëshiruara për zbutjen e ndryshimeve klimatike”, shtuan revizorët në raport.

Në Raportin e EShR-së tregohet se disa komuna kanë miratuar strategji për ndryshimet klimatike, por roli i pushtetit vendor në zbutjen e ndryshimeve klimatike është ende minimal.

Me revizionin e suksesit është përfshirë periudha nga viti 2017 deri në vitin 2020 dhe nëse është e nevojshme për të monitoruar shkallën e zbatimit të masave është mbuluar edhe periudha e mëparshme, si dhe periudha pas përfundimit të revizionit deri në ditën e përgatitjes së këtij raporti.

Në mesin e rekomandimeve të shumta që revizorët i bëjnë institucioneve kompetente, kërkojnë miratimin e Ligjit për Aksion klimatik, si dhe Ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor të krijojë sistem për marrjen e rregullt të informacionit për masat e ndërmarra për zbutjen e ndryshimeve klimatike të parashikuara në Planin kombëtar. Në të njëjtën kohë, të paktën një herë në vit, Qeveria duhet të informohet për shkallën në të cilën kanë arritur masat e planifikuara për zbutjen e ndryshimeve klimatike.

“Ngritja e një organi nacional funksional për Ndryshimet klimatike të RMV-së, i cili duhet të ofrojë udhëzime për veprimet e përgjithshme klimatike, si dhe të kontribuojë në integrimin e të njëjtit në politikat, planet dhe masat sektoriale”, është një tjetër nga rekomandimet kryesore që i jepen kësaj ministrie nga Enti Shtetëror për Revizion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button